Foto nga seanca, gjykimi për Zonën Ekonomike të Malishevës. 05.07.2024, Gjykata e Prishtinës. - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Zonën Ekonomike të Malishevës prek fundin, i akuzuari: Prokuror s’ta pata borxh këtë

Në Gjykatën e Prishtinës gjykimi për keqpërdorime të pretenduara në atë që pritej të bëhej Zonë Ekonomike e Malishevës ka prekur fundin.

Mbrojtësit e të akuzuarve kanë dorëzuar sot, më 05.07.2024 fjalët përfundimtare, duke kërkuar lirimin e Ragip Begajt dhe të tjerëve.

I pari që dorëzoi fjalën përfundimtare ishte mbrojtësi i ish-kryetarit të Malishevës, avokati Rrahman Kastrati.

“Prokuroria nuk kishte asnjë provë që i mbrojturi im i ka tejkaluar kompetencat, as që ka pasur qëllim që vetes apo dikujt t’i sjellë dobi pasurore. Brenda kompetencave të veta është angazhuar për krijimin e Zonës Ekonomike të Malishevës” – tha avokati i Ragip Begajt, Rrahman Kastrati.

Madje avokati u shpreh i bindur se Zona Ekonomike e Malishevës do të ndërtohet në të njëjtin vend ku kishte pasur inicim për t’u ndërtuar.

“Për shkak të procedurave në shumë vende janë bërë zonat ekonomike kurse në Malishevë jo, e unë jam i bindur që bash qaty ka me u bë se jam i qasaj ane. Prona private, prona shtetërore janë të shtetit. Kudo që investohen vlera është e njëjtë, përfitojnë qata njerëz, qytetarë. Nuk ka pësuar askush, nuk është dëmtu askush. Gjithë kohës ka qenë prezent përfaqësuesi i ATK-së. Kishte vetëm qëllim të zhvillimit ekonomik të Malishevës si çdo kryetar. Kërkesa ka qenë vetëm për inicim të procedurës për krijimin e Zonës Ekonomike të Malishevës” – tha avokati Rrahman Kastrati.

Avokati më tutje u shpreh se Ragip Begaj nuk ka pasur asnjë kontakt me të ndjerin Mustafë Hoxha dhe nuk ka asnjë provë që ka komunikuar ndonjëherë e lëre më bashkëpunuar me të.

“Konstatimi i këtij veprimi ishte krejt imagjinar” – u shpreh avokati.

“Kërkoj aktgjykim lirues ndaj Ragip Begajt dhe të tjerëve” – përfundoi avokati Rrahman Kastrati.

Më tutje fjalën përfundimtare e dorëzoi mbrojtësi i të akuzuarit Hajdin Berisha, avokati Haki Kryeziu, i cili nuk e elaboroi gojarisht fjalën përfundimtare por vetëm e deponoi si kopje fizike dhe tha se gjithashtu e mbështet fjalën e avokatit Rrahman Kastrati.

I treti më radhë ishte mbrojtësi i Bashkim Krasniqit, avokati Ramadan Paçarizi.

Ai tha se i mbrojturi i tij nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim e as ndonjë mosveprim që do të justifikonte përshkrimin si në aktakuzë.

“I mbrojturi im ka qenë vetëm një punëtor administrativ që për detyrë e ka pasur përpilimin e shkresave. Sa u përket dëshmive dhe dëshmitarëve asnjë nuk e inkriminon të mbrojturin tim, madje ata të gjithë e kanë shprehur dëshirën për themelimin e kësaj zone e cila nuk u themelua kurrë. Sa u përket palëve të dëmtuara realisht ato janë përfshirë vetëm formalisht në aktakuzë” – u shpreh ndër të tjera avokati Ramadan Paçarizi.

Fjalën përfundimtare e dorëzoi si dhe e elaboroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Malë Krasniqi, avokati Emrush Kastrati.

Ai provat materiale të Prokurorisë i cilësoi si joinkriminuese.

“Kemi të bëjnë me prova thelbësisht të papranueshme në kuptimin juridik të inkriminimit. Nëse dikush është dëmtuar janë qytetarët e Malishevës nga moskrijimi i Zonës Ekonomike. Prokurori i shtetit në fjalën përfundimtare i referohet se paskan tejkaluar kompetencat e tyre me të akuzuarit e përmendur por prokuroria nuk e cek asnjë element me çfarë elementi është tejkaluar kompetenca e tyre. Në fjalën përfundimtare prokurori i shtetit i referohet kinse vendosjes së pikave gjeodezike në terren. E vërteta është se s’ka pasë çka të ofrojë provë materiale se i pandehuri nuk ka vendosë pika gjeodezike. Mirëpo ky komunikim që ishte bërë nga i mbrojturi im Malë Krasniqi me ndihmën e një qytetari për t’ia gjetur shërbimin noterial. Kjo ndihmë verbale se ku ka noter nuk ka të bëjë asgjë me dispozitivin e aktakuzës e as nuk është inkriminues” – tha avokati Emrush Kastrati.

Mbrojtësi i Bajram Hasanit, avokati Imer Uruglica, ka kërkuar aktgjykim lirues në mungesë të provave, duke shtuar se në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ka kundërthënie.

Ai ndër të tjera ka thënë se nuk kemi në këtë rast marrëveshje formale për themelimin e asaj Zone, por inicim.

Edhe avokati Imer Beka tha se për të mbrojturin e tij, Faton Thaçi, nuk ka prova fajësuese, madje e akuzoi Prokurorinë Speciale për mungesë të korrektësisë.

“Besojmë se po t’i shikohen pretendimet e Prokurorisë asnjë dëshmitar, asnjë provë, asnjë fakt, bile kemi dy dëshmitarë që kanë thënë se Faton Thaçin as që e kam pyetur fare për këtë çështje se si zv.ministër punon vetëm me autorizime. Prokuroria s’ka trajtuar asnjë provë shfajësuese në mënyrë korrekte. Andaj meqenëse në këtë gjykim nuk ka asnjë provë fajësuese Faton Thaçin ta lirojë nga akuza” – tha avokati i Faton Thaçit, Imer Beka.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nazmi Kafexholli, avokati Agron Kajtazi, nuk e elaboroi fare fjalën përfundimtare po vetëm e deponoi si kopje fizike.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Rrahmanaj, avokati Bekim Kryeziu, kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij duke thënë se nuk ka vepër penale ndaj Rrahmanajt.

“Për shkak se Prokuroria ka ngritur aktakuzë për një periudhë kohore prej 2007 deri në vitin 2013, kurse në aktakuzë ka përmendur ligjin i cili ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2016, gjithashtu nuk ka pasur manipulim të procedurës së privatizimit” – u shpreh avokati Bekim Kryeziu.

I vetmi i akuzuar që e mori fjalën ishte Ahmet Rrahmanaj, i cili kohën për t’u shprehur e përdori për të bërë falënderime por edhe për një batutë.

“E falënderoj avokatin që s’e lexoi fjalën dhe juve si institucione edhe me shaka i kisha thanë prokurorit s’i kam pasë borxh me u marrë me qita” – tha i akuzuari Ahmet Rrahmanaj, duke shkaktuar të qeshura në sallën e gjykimit.

“Jo, jo…” – ndërhyri kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.

Në fund, kryetari i trupit gjykues e pyeti prokurorin nëse ka diçka për të shtuar lidhur me këtë rast.

“E pres një aktgjykim të drejtë”- tha shkurt prokurori i rastit, Naim Abazi.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues me kryetar Vesel Ismailin dhe anëtarët Violeta Namani dhe Rrahman Beqiri.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 11.07.2024.

Cilat janë pretendimet e Prokurorisë?

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begajt, Hajdin Berishës, Bashkim Krasniqit, Malë Krasniqit, Bajram Hasanit, Faton Thaçit, dhe Ahmet Rrahmanajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga Prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në atë kohë, Bajram Hasani, në një mbledhje të Qeverisë kishte propozuar kolegëve në kabinetin qeveritar një pikë e cila pritej t’i kushtojë buxhetit të Kosovës me dhjetëra miliona euro.

Ministri Hasani para kabinetit qeveritar kishte paraqitur një kërkesë të Komunës së Malishevës për krijimin e zonës së veçantë ekonomike e cila shtrihet në tri fshatra, Banjën e Malishevës, Bellanicë dhe Senik.

Mirëpo, ky propozim i ministrit Hasani ishte kundërshtuar pikërisht nga ish-bashkëpartiakët e dikurshëm, ministri Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj.

Sipas Abelard Tahirit, në atë kohë, Qeveria e Kosovës nuk mund të hyjë në këso obligime pa e ditur saktë koston e projektit për shpronësim, meqë në arsyetimin e tij, ministri Hasani nuk kishte përmendur fare koston e shpronësimit.

E se për çfarë kosto bëhet fjalë, ministri Hasani i kishte thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nuk e di këtë, pasi që sipas tij Ministria e Ambientit duhet ta bëjë vlerësimin, mirëpo për një gjë thoshte se është i sigurt, që nuk do të kushtojnë shumë.

Themelimi i kësaj zone të veçantë ishte propozuar të bëhet në komunë të Malishevës që prek tri fshatra, Banjën, Bellanicën dhe fshatin Senik.

“Saktësisht nuk mundem me folë, veç është diku mbi 50 hektarë”- ishte përgjigjja e Hasanit në atë kohë.

E për këtë investim të madh të shpronësimit të mbi 50 hektarëve tokë private, ministri Hasani kishte thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e kishte diskutuar fare këtë temë me kryetarin e partisë së tij, Fatmir Limajn, ani pse zona ekonomike prekte edhe fshatin e tij.

Për Hasanin nuk është problem kostoja, sepse sipas tij, kur është interesi madhor ekonomik, shteti duhet të marrë përsipër edhe koston e cila do të shërbente për punësim.

Ndërsa me të ardhur në pushtet Qeveria e re e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, kishte marrë vendim me të cilin e kishte anuluar vendimin paraprak të Qeverisë së kaluar për themelimin e Zonës Ekonomike të Malishevës.

Qeveria po ashtu kishte anuluar procedurat e shpronësimit të tokave në Banjë, Bellanicë e Senik.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë – LINK.