Gjykimi ndaj ish-drejtorëve, në vend të fjalës përfundimtare Prokuroria bën precizimin e aktakuzës

Precizimi i aktakuzës nga ana e Prokurorisë të premten ka pamundësuar vazhdimin e fjalës përfundimtare në rastin e ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit.

Tre ish-drejtorët, Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Procesi gjyqësor kundër tyre kishte filluar më shumë se tre vite më parë lidhur me dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme duke shkelur kriterin e ankandit publik.

Por, prokurori i çështjes, Metush Biraj në vend të fjalës përfundimtare sot ka bërë precizimin e aktakuzës ku si palë e dëmtuar përveç Albert Docit konsiderohet edhe Komuna e Prizrenit.

Sipas tij, Albert Doçi është dëmtuar për fitimin e humbur për katër vite, ndërkaq, për këtë periudhë Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm financiar në shumën prej 5,440.80 euro.

Prokurori Biraj ka shtuar se nga përfaqësuesja e komunës, Florentina Çoçaj ka marr njoftim mbi lartësinë e dëmit.

Kundër këtij propozimi ishin të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre. Ata konsideruan se nuk bëhej fjalë vetëm për precizim por për ndryshim të tërësishëm të akuzës.

Vigan Rogova, mbrojtës i të akuzuarit Ares Shporta deklaroi se në këtë drejtim nuk janë administruar provat për dëmin.

“Meqenëse dëmi është element esencial i veprës penale atëherë ne konsiderojmë se kemi të bëjmë me një ndryshim të aktakuzës dhe në këtë drejtim nuk janë administruar provat si dhe prokuroria nuk ka asnjë bazë financiare ose ekspertizë që do ta vlerësonte këtë dëm”- theksoi Rogova.

Mospajtime e kundërshtime rreth hapjes së procedurës së provave shfaqi edhe avokati Brahim Sopaj pasi sipas tij deri më tani Komuna nuk kishte deklaruar se është dëmtuar.

“Për ta pranuar këtë dëm a ekziston apo nuk ekziston duhet një analizë nga eksperti financiar i cili do ta vlerësojë këtë dëm. Konsideroj se duhet kohë që të ftohen dëshmitarët në periudhën kohore të caktuar se a i është shkaktuar dëm Komunës meqenëse deri në seancën e sotme asnjëherë nuk është theksuar se Komuna është dëmtuar”- u shpreh avokati Sopaj.

Ndërkaq, avokati Betim Kadolli kërkoi nga prokurori i çështjes që të vazhdoj me fjalën përfundimtare.

“Unë mendoj dhe propozoj që edhe njëherë t’i jepet mundësia prokurorit që të deklarohet dhe të tërhiqet nga ky ndryshim i aktakuzës me qëllim që të vazhdojmë me fjalën përfundimtare”- deklaroi avokati Kadolli.

Pas kësaj, Gjykata mori vendim që brenda afatit prej 8 ditësh Prokuroria ta parashtroj aktakuzën në formë të shkruar dhe e njëjta t’i dorëzohet palëve.

Seancat e radhës u caktuan për më 24 maj 2023.

Aktakuza ka të bëjë me tenderin publik për lokalet që janë pronë e Komunës së Prizrenit, të cilat Komuna i jep në shfrytëzim me qira.

Sipas Prokurorisë Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ganimete Barbuna, Ares Shporta, po akuzohen se kanë shkelur kriterin e Ankandit Publik, për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale.

Të gjithë të akuzuarit kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, përderisa kryetar i komisioni ka qenë i akuzuari – drejtori Levent Kasëmi, e zëvendëskryetar – Fejzë Kabashi.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se të pandehurit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare të përcaktuara me ligj dhe njëkohësisht i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

“Përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar, kanë shpikur kritere të tjera shtesë dhe kanë eliminuar fituesin real-të dëmtuarin Albert Doçi i cili ka ofertuar me ëmimin më të lartë prej 25.20 euro për m2, për lokalin me numër 29 ndërsa ofertuesja të cilës i është dhënë lokali me qira kishte ofertuar në shumën prej 20.06 euro për m2”- citoi prokurori.

Me këtë rast sipas Prokurorisë i dëmtuari Albert Doçi është dëmtuar për fitim e humbur për katër vite, kurse për këtë periudhë Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm në shumën prej 5,440.80 euro.

Me këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK