Iberdemaj: Gjatë procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit nuk kishte transparencë

Blerta Iberdemaj, pjesë e Zyrës Ligjore të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) e ka quajtur ‘transparencë të fasaduar’ procesin e përzgjedhjës së Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial.

Iberdemaj në emisionin ‘Ditari’ në Tëvë1 ka komentuar këtë proces duke thënë se komisioni vlerësues kishte mbyllur pjesën më të rëndësishme për monitorim.

“Ajo çfarë ne kemi konstatuar është një transparencë e fasaduar nga KPK, përkatësisht komisioni vlerësues. Pasi që monitorimi është lejuar deri në momentin e vlerësimit apo poentimit nga anëtarët e komisionit. Komisioni ka vendosur që me e mbyll këtë fazë për monitoruesit”, tha ajo.

Iberdemaj sot ishte pjesë e takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, për të diskutuar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Ajo tha se presidentja është zotuar që të lexojë në detaje çdo raport dhe çdo informacion të pranuar nga shoqëria civile.

“Ne përfaqësuesit e shoqërisë civile kemi zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmani, e cila na ka ftuar për të diskutuar me ne lidhur me raportet tona që i kemi publikuar pas monitorimit të këtij procesi. Ajo është zotuar që do ta lexojë në detaje çdo raport dhe informacion të pranuar nga shoqëria civile derisa është duke shikuar apo menduar vendimin e saj për dekretimin apo jo të Kryeprokurorit të Shtetit”, theksoi Iberdemaj.

Blerim Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

 

Transparenca e munguar në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit