Iberdemaj: Politika koprrace për buxhet por jo për kritikat ndaj gjykatave dhe prokurorive

Në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për administratën e sistemit të drejtësisë është diskutuar lidhur me menaxhimin e resurseve njerëzore në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe lidhur me mungesën e vazhdueshme të buxhetit.

Blerta Iberdemaj, zyrtare ligjore në BIRN, ka paraqitur analizën e bazuar në të dhënat e hapura të ofruara nga Milenium Foundation Kosovo (MFK), që pasqyron efikasitetin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor duke u bazuar në resurset humane.

Iberdemaj ka deklaruar se ndonëse secila qeveri ka premtuar investime dhe avancim të sistemit të drejtësisë, në fund premtimet nuk janë realizuar por kanë mbetur vetëm fjalë.

“Ne jemi mësuar ndër vite për të parë udhëheqës, burrështetas, politikanë, të cilët kushdo që ka ardhur në qeveri ka dhënë premtime të mëdha, kanë thënë që do të bëjnë investime sa i përket ngritjes dhe avancimit të efikasitetit të sistemit të drejtësisë në vend, por në fund ka rezultuar se siç duket këto kanë qenë proklamomë të ideve të mëdha të cilat në fund kanë mbetur vetëm premtime, janë shënuar diku por nuk janë realizuar”, tha Iberdemaj.

Mungesën e stafit mbështetës në gjykata dhe prokurori, Iberdemaj e cilësoi si shqetësuese pasi që tha se nga monitorimi i vazhdueshëm kanë hasur në raste kur seancat gjyqëore janë shtyer në mungesë të stafit mbështetës për gjyqtar e prokuror.

“Ka pasë raste kur ne kemi parë që ka pasur dështime të seancave gjyqësore tepër të rëndësishme për shkak se gjyqtarit i ka munguar bashkëpunëtori profesional ose ndonjë staf mbështetës, ka pasur raste që është shtyrë seanca për këtë gjë, kjo është një gjë shumë e keqe që ndikon drejtpërdrejt në mosefikasitetin dhe zvarritjen e lëndëve të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në vend e në anën tjetër kemi parë që përpos premtimeve që janë dhënë vazhdimisht për forcimin e sistemit të drejtësisë nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme buxhetore”, ka deklaruar Iberdemaj.

Iberdemaj ka kërkuar insistim më të madh lidhur me kërkesat buxhetore për gjyqtarët dhe prokurorët, në mënyrë që këtyre dy institucioneve të pavarura më në fund t’u ofrohet edhe pavarësi buxhetore.

“Vijat e kuqe qëndrojnë po këto të njëjtat të cilat tashmë siç vërehet veç janë tejkaluar, ajo çka ne duhet ta theksojmë është se ne duhet të insistojmë vazhdimisht që kjo ngritje buxhetore me qenë e balancuar, pra jo vetëm të rriten rrogat për prokurorët dhe gjyqtarët por të bëhet edhe shtimi i numrit të punonjësve, në këtë formë sic është vec është shkaktu pakënaqësi dhe nuk është arritur balanci. Pra domosdoshmerishtë duhet të kërkojmë të bëhet ngritja buxhetore e balancuar”, ka dekalruar Blerta Iberdemaj nga zyra ligjore e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN.

Analizën e detajuar rreth menaxhimit të resurseve njerëzore në KGjK dhe KPK mund ta lexoni duke klikuar në këtë link: https://kallxo.com/gjate/pavaresia-financiare-e-cunguar-e-keshillit-gjyqesor-dhe-prokurorial-te-kosoves/