Foto-ilustrim

Gjykata vendos për dy të dyshuarit për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj N.V dhe Xh.V, të dyshuar në rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se të dyshuarit N.V. dhe Xh.V., i kishin siguruar mjetin e udhëtimit të dyshuarit J.V., e që sipas prokurorisë është i dyshuari kryesor i implikuar në rrëmbimin e Bedri Rexhepit.

Dosja e prokurorisë thotë se me këto veprime ekziston dyshimi që ata kanë kryer veprën penale të rrëmbimit.

Në kërkesën e prokurorisë  thuhet se sipas videoincizimeve vetura me pronar të dyshuarën Xh.V., ndërsa autorizimin për veturë e ka pasur i dyshuari N.V.

Kjo veturë është gjetur afër vendit ose lokacionit ku është gjetur vetura e tani të dëmtuarit Rexhepi.

Sipas prokurorisë, paraburgimi është kërkuar sepse ekziston rreziku për pengim të procedurës nga të dyshuarit. Kjo pasi në fazat e mëhershme, të dyshuarit në cilësinë e dëshmitarëve kanë dhënë informacione të gabueshme me qëllim të fshehjes së provave.