Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Gjykata Speciale i dërgon ftesë edhe një ish-ushtari të UÇK-së

Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë për intervistim ish-ushtarit të UÇK-së, Elbasan Shoshaj.

Këtë e ka bërë të ditur, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Sot morra lajmin që bashkluftëtari nga Prizreni, Elbasan Shoshaj është ftuar nga Gjykata Speciale. Edhe ky luftëtar i liris do të dali faqebardhë nga kjo gjykatë”, ka shkruar Gucati në Facebook.

Ai nuk ka dhënë detaje se në çfarë cilësie është ftuar Shoshaj

Gjykata Speciale ka intervistuar dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe jo vetëm.

Pak javë më parë, kjo gjykatë publikoi aktakuzën që Prokuroria i Specializuar ka ngritur ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryearit të PDK-së Kadri Veseli, për krime kundër njerëzimit.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, e cila do të hetojë krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, gjatë dhe pas luftës së fundit në vend.