Gjykata vendos ndaj Çaslav Joliqit, i akuzuar për kime lufte në Kosovë gjatë vitit 1998

I akuzuari për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1998, Çaslav Joliq, është shpalluar fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

Joliq është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vite burgim, në bazë të ligjit penal të ish- RSFJ-së.

I njëjti gjendet nën masën e paraburgimit që nga viti 2022 e cila i vazhdohet deri plotfqishmërinë e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar në paraburgim do t`i llogaritet në dënimin me burgim.

Çaslav Joliq, lidhur me akuzat e Prokurorisë nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e datës 29.04.2024.

Vendimi lidhur me këtë rast është marrë nga trupi gjykues në përbërje prej, Musa Konxheli- Kryetar, Valbona Musliu- Selimaj dhe Mentor Bajraktari. Kurse përfaqësues i aktakuzës është prokurori, Ilir Morina.

Të pranishëm në sallë të gjykimit ishin të gjithë palët e procedurës penale.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniformë të policisë serbe, Rdaule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15 mars të vitit 1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc. Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë çështje, mund t’i gjeni në këtë LINK.