Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për krime lufte, Çaslav Joliq, Foto: KALLXO.com

I akuzuari për krime lufte, Çaslav Joliq nuk e pranon fajësinë për trajtim çnjerëzor dhe tortura

I akuzuari për krime lufte në Kosovë në vitin 1998-1999, Çaslav Joliq ka dalë para Gjykatës së Prishtinës. Joliq është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ai akuzohet se ka bërë trajtim çnjerëzor dhe tortura në cilësinë e pjesëtarit të policisë ndaj tri viktimave shqiptare dhe atë në prezencë të dy gazetarëve ndërkombëtarë dhe një përkthyese shqiptare.

“Faji i tyre i vetëm ishte se i takonin nacionalitetit shqiptar dhe i pandehuri duke qenë pjesë e një strukture të organizuar kriminale të asaj kohe ushtronte dhe ekzekutonte një dhunë sistematike dhe të përhapur ndaj popullsisë civile siç është vërtetuar tashmë me aktgjykimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet në ish – Jugosllavi me seli në Hagë ndaj të dënuarve Stanishiq dhe Lukiq” – tha prokurori special Ilir Morina.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Musa Konxheli dhe anëtarët, Violetë Namani Hajri dhe Mentor Bajraktari, konstatoi prezencën në këtë seancë të vetëm një prej tri viktimave, të cilët janë shqiptarë.

Prokurori special u shpreh i bindur se dëshmitarët dhe provat materiale do të jenë në gjendje ta bindin gjykatën mbi fajësinë e të akuzuarit.

Prokurori u shpreh se njërit prej viktimave i janë dashur dy muaj për t’u rikuperuar nga lëndimet të cilat i’a kishte shkaktuar i pandehuri. Prokurori tha se viktimën e kishte ekzaminuar një mjek i cili pritet edhe të dëshmojë kundër ish-policit serb.

Viktima që ishte i pranishëm në seancë qëndroi plotësisht pranë fjalës së prokurorit.

Ndërsa Mijodrag Brkljaq, avokati mbrojtës i të akuzuarit Çaslav Joliq, shpreh i bindur se klienti i tij është i pafajshëm. Por ai u shpreh i shqetësuar se disa dëshmitarë të mbrojtjes nuk do të mund të dëshmojnë.

“Disa dëshmitarë të mbrojtjes ndodhen në Serbi … ju duhet ta kuptoni dëshmitarët të cilët dinë diçka për këto ngjarje të cilat në njëfarë mënyre kanë qenë njëfarë forme edhe të involvuar në këto ngjarje nuk guxojnë të vijnë dhe të japin deklaratë në favor të të pandehurit nuk guxojnë të vijnë nga një arsye shumë e thjeshtë frikësohen se edhe vetë do të jenë të arrestuar” – tha avokati Brkljaq.

Ai i bëri dy propozime gjykatës. I kërkoi gjykatës të lejonte që dëshmitë e dëshmitarëve të merren përmes videove apo edhe përmes deklaratave të noterizuara tek noteri ku ai përmend Serbinë apo Malin e Zi, si shtete të përshtatshme ku mund të noterizoheshin këto deklarata. Ai madje kërkoi edhe bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në mënyrë dëshmi të cilave ju referohej si “video-linqe” të realizohen.

E gjyqtari kryesor Konxheli e siguroi mbrojtësin e Joliq se trupi gjykues është i përkushtuar ndaj të gjitha provave që propozohen nga palët dhe nëse është nevoja të sigurohen kudo që gjenden.

“Përpjekjet e gjykatës nuk do të mungojnë përkundrazi nëse e shohim se ato prova janë të nevojshme përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar që klienti juaj i pandehuri dhe kushdo tjetër nuk do të dënohet pa faj” – tha Konxheli.

Por këto propozime i kundërshtoi prokurori special Ilir Morina. Ai tha se marrja e dëshmive gjyqësore përmes noterizimeve është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Se një gjë e tillë ishte e paligjshme e pohoi edhe gjyqtari Konxheli.

Morina i’a bëri edhe një pyetje avokatit të të pandehurit Joliq pasi ai përmendi edhe bashkëpunimin ndërinstitucional Kosovë – Serbi në mënyrë që administrimi i provave mbrojtëse për të pandehurin të lehtësohet.

“A s’është diskriminuese që Serbia bashkëpunon për të pandehur serbë dhe jo për shqiptarë?” – pyeti prokurori i Prokurorisë Speciale që u pasua me heshtje nga mbrojtësi i Joliqit.

Avokati i të akuzuarit përmendi se kishte vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë se Joliq ishte bërë polic në tetor të vitit 1998.

“Ai ishte njeri që blinte me një vend e shiste me një vend” – tha avokati për të akuzuarin.

Në fund të seancës, prokurori Morina i tha avokatit të Joliqit se në bazë të ligjit duhet t’i kishte paraqitur Prokurorisë provat e mbrojtjes brenda 30 ditëve prej mbajtjes së seancës fillestare, e cila ishte mbajtur në fund të dhjetorit të vitit 2022.

Seancën e mbylli gjyqtari kryesor Konxheli, i cili paralajmëroi se dy seancat e ardhshme do të mbahen në qershor.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniformë të policisë serbe, Rdaule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15 mars të vitit 1998, derisa i dëmtuari N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc. Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Përjetim të ngjashëm sipas prokurorisë kishte edhe N. C., i cili më 15 mars të vitit 1998 ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë për të marrur familjen e tij.

Sipas dosjes kur kishte arritur te pika e kontrollit policor në fshatin Gurakoc ishte ndaluar nga policia. Dy pjesëtarë policor kishin hyrë dhunshëm në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t`i dërgonte tek shtëpia e personit me pseudonim “Mala”, por pasi që i dëmtuari iu kishte thënë se nuk e dinte ku e kishte shtëpinë “Mala” të njëjtit e kishin detyruar që t`i kthente në qendër të fshatit.

Tutje në dosje përshkruhet se me të arritur para shitores te qendra e fshatit personi me pseudonimin “Joliq” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës dhe nga aty e kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal që gjendej aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur deri sa kishin ndërhyrë disa policë.

Në dosje theksohet se Joliq gjatë maltretimit të të dëmtuarit kishte përdorur fjalët “Nuk je në Kosovë, por je në Serbi”, dhe “këtu është Serbia e madhe”.

Më këto veprime i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.