Autoblinda e policisë e sulmuar në Banjskë, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Gjurmët e plumbave të automatikut në autoblindën e Policisë së Kosovës në Banjskë - FOTO

Ekipi i KALLXO.com i cili është duke qëndruar në fshatin Banjskë të Zveçanit sjellë pamje të gjurmëve nga plumbat në autoblindën e Policisë së Kosovës që u sulmua nga një pjesëtar i grupit terrorist me armë automatike të dielën e 24 shtatorit.

Sot për herë të parë që nga sulmi terrorist, mediat janë lejuar të hynë në brendësi të fshatit e manastirit të Banjskës, pasi u hapën për qarkullim rrugët që çojnë drejt zonës.

Në këtë zonë, edhe sot ekipet policore ndodhen në vendin e ngjarjes.

Ekipet policore kanë nisur kontrollin në zonën e fshatit Banjskë, prej 24 shtatorit kur në orët e hershme të mëngjesit u përballen me një sulm terrorist nga një grup i armatosur, shumica e të cilëve janë arratisur e disa janë arrestuar nga organet e rendit.

Gjatë kontrollit, Policia ka arrestuar tetë të dyshuar, ka sekuestruar prova materiale, në mesin e tyre automjete e arsenal armësh që dyshohet që i përkasin grupit terrorist.

Përveç provave që u prezantuan të hënën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë në një hotel në Banjskë, gjithashtu është gjetur edhe një tjetër arsenal i armëve.

Sipas njoftimit, dy armë “AK 47” janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e Policisë së Kosovës që dyshohet se është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Lirohet për qarkullim rruga për në Banjskë – VIDEO