Gjilan, pengohet kontrabanda me lule dekorative, dyshohet se janë sjellë ilegalisht nga Serbia

Policia e Kosovës njofton se gjatë kontrolleve në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësore dhe rajonale në zonën e Kamenicës dhe Gjilanit ka ndaluar një furgon, i cili dyshohet se po kontrabandonte lule dekorative pa dokumente përcjellëse.

Sipas Policisë rasti ka ndodhur sot rreth orës 19:10  në magjistralen Kamenicë-Gjilan, ku është ndaluar automjeti “Mercedes” furgon me targa vendore me drejtues të dyshuarin me iniciale B.A. i moshës 29-vjeçare.

“Gjatë kontrollit në furgon  janë gjet të ngarkuara lule dekorative të llojeve të ndryshme: Nëntëdhjetë e tri (93) pako, njëmijë e dyqind e dyzet e pesë (1245) vazo për të cilat nuk kishte asnjë dokument përcjellës për origjinën dhe përmbajtjen e tyre të cilat dyshohet se janë sjellë në mënyrë ilegale nga Serbia”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia njofton se rasti është duke u trajtuar nga Policia dhe të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit.