Gjendet një person i vdekur brenda veturës në Ferizaj

Një person është gjetur i vdekur në veturë në afërsi të fshatit Bablak në Ferizaj sot rreth orës 11:00.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bëhet fjalë për një 55 vjeçar i cili dje ishte raportuar i zhdukur nga anëtarët e familjes.

Ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e personit në veturë.

“Sot me datën 17.09.2021 Njësitet Policore kanë ndërmarrë veprimet operative/hetimore, ku rreth orës 11:00 Policia ka pranuar informacione se një veturë me një person brenda veturës gjendet në fushat afër fshatit Bablak-Ferizaj. Të gjitha Njësitet relevante Policore, përfshirë edhe Emergjencën e Ferizajt janë paraqitur në vendin e ngjarjes, ku nga ana e ekipit mjekësor është konstatuar vdekja e personit në veturë”, bënë të ditur Policia e Kosovës.

Ndërkaq sipas hetimeve fillestare të njësiteve policore dhe ekipit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në trupin e viktimës nuk është vërejtur ndonjë shenjë dhune por që i njëjti është dërguar për obduksion.

Rasti mbetet të trajtohet më tutje nga Sektori i Hetimeve Rajonale të DRP-së Ferizaj.