Gjendet i vdekur një 77-vjeçar në malin që ishte përfshirë nga zjarri

Një person, 77-vjeçar, është gjetur i vdekur në një zonë mali që ishte kapluar nga zjarri, sonte me 19.02.2024 në fshatin Rezallë të Skenderajt.

Trupi i viktimës raportohet se është gjetur nga familjarët e tij.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 18:00, është raportuar se në  fshatin Rezallë  të Skenderajt, është  gjetur pa shenja jete viktima mashkull i moshës 77 vjeçar. Bazuar në  informatat e para, bëhet e ditur se trupi i pajetë i viktimës është gjetur nga familjaret e tij në  një  zonë  mali që  ishte kapluar nga zjarri. Hetuesit policor me autorizim të  prokurorit kanë  nisur hetimet për  rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka thënë se me urdhër  të  prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.