Takimi i Pestë Vjetor i Shoqatës së Universiteteve të Ballkanit

Gjashtë universitetet publike tashmë pjesë e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike

Gjashtë universitetet publike në vendin tonë, kanë bërë të ditur se tashmë janë bërë pjesë e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA).

Pjesë e këtij asociacioni janë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”.

Zëdhënësja e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Kaltrina Kelmendi ka thënë për KALLXO.com se edhe ky universitet ka qenë pjesë e këtij takimi.

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka shkruar se janë bërë anëtarë të rregullt të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA) me të drejtë vote, në konferencën e mbajtur në Selanik të Greqisë.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Besart Hajrizi, i cili përfaqësoi UMIB-in, tha se anëtarësimi në këtë asociacion lehtëson ndërkombëtarizimin e UMIB-it si dhe mundëson bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

“Të qenit anëtar në BUA lehtëson mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve, mundëson organizimin e konferencës vjetore të BUA-së, dhe përgjithësisht mundëson shkëmbimin e përvojave të universiteteve ballkanike”.

Dekani i Ekonomikut në UMIB, Besart Hajrizi

Në kuadër të punimeve të kësaj konference, u.d. Prorektori i Universitetit të Prizrenit, Arif Riza ka nënshkruar Plotësim ndryshimet e Statutit të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit(BUA), për plotësimin e anëtarëve të rinj.

Prorektori i UPZ-së, Arif Riza

Delegacioni tjetër nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, i udhëhequr nga Rektori, Bajram Kosumi, Kryesuesi i Këshillit Drejtues Emrush Thaçi si dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, gjithashtu morën pjesë në takimin e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA) për vitin akademik 2018/19.

Në njoftimin e këtij universiteti thuhet se ‘Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është anëtar themelues i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA)’ dhe se ‘Presidencën e këtij Asociacioni gjatë vitit akademik 2017/2018 e ka pasur Universiteti i Tetovës’.

Rektori i UKZ-së, Bajram Kosumi, Kryesuesi i Këshillit Drejtues Emrush Thaçi dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Dukagjin Leka

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Dashamir Bërxulli, si dhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka – Kërliu ishin pjesë e këtij takimi në Selanik.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Dashamir Bërxulli dhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka – Kërliu

Pjesë e aktiviteteve të takimit të sivjetmë të BUA-s është edhe konferenca me temë “UN Sustainable Development Goals in the Balkan Region – The Role of the Universities”.

Konferenca e BUA-së 2019 dhe Takimi i Pestë Vjetor i Shoqatës së Universiteteve të Ballkanit është mbajtur nga 16 deri më 18 prill 2019.

Qëllimi kryesor i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA) është të përcaktojë një vizion kryesor për të ardhmen e arsimit të lartë përmes universiteteve, bibliotekave dhe qendrave kërkimore në rajonin e Ballkanit në bazë të vlerave të përbashkëta globale dhe krijimit të një rrjeti shkencor në fushat e gjuhës, kulturës, artit, historisë, ekonomisë, arsimit dhe sportit dhe të promovimit të projekteve bashkëpunuese shkencore në këto fusha.