Gjakovë, arrestohet i dyshuari për grabitjen e 2,000 eurove nën kërcënimin e sëpatës
27.1.2023 - 21:32
Policia e Kosovë ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me inicialet F. H. (1995), i dyshuar për grabitjen e 2,000 eurove në filialin e institucionit mikrofinanciar “RIA” në rrugën “Avdullah Babalija” në Gjakovë.
Sipas Policisë, i dyshuari duke kërcënuar me një sëpatë ka arritur të grabisë shumën e lartcekur dhe është larguar në drejtim të panjohur.
“Në posedim të tij janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: Një sëpatë dhe 2000 euro në bankënota 200-she, 100-she dhe 50-she”-thuhet në njoftim.
I dyshuari pas intervistimit nga Policia, në konsultim me prokurorin e shtetit është ndalur në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar rasti – grabitje.