Gërvalla: Serbia vazhdon me avazin e vjetër të lobimit kundër Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq pas darkës joformale të thirrur nga kryeministri grek në Athinë ditë më parë tha se Greqia dhe Ukraina nuk duhet ta njohin Kosovën.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua atje me Presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelenski, shtet ky i cili kohën e fundit po flitet se ka gjasë ta njohë Kosovën.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon tha se takimi i Vuçiqit dhe Zelenskyt mund të jetë zhvilluar për një marrëveshje mbi armët në këmbim që Ukraina të mos e njoh pavarësinë e Kosovës.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla në një deklaratë për Radiotelevizionin e Kosovës tha se Serbia vazhdon me avazin e vjetër të lobimit kundër Kosovës, në çdo hapësirë që i jepet.

“Ne e dimë se sa agresive është kampanja e Serbisë dhe Rusisë për të penguar njohje të reja dhe për të krijuar çnjohje të Kosovës me shtete të ndryshme, prandaj ne asnjë prej shteteve me të cilat bisedojmë nuk e vejmë publikisht para sfidave të tilla…” – u shpreh Gërvalla.

Më 18 mars, në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre. Marrëveshja, që njihet edhe si propozimi evropian, kërkon nga Beogradi që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare./RTKLIVE