Donika Gervalla

Gërvalla: Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizim të marrëdhënieve anipse takimi i sotëm përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo mund të arrihet në mënyrë të qëndrueshme vetëm me zgjidhje të drejta, me njohjen reciproke në qendër. Asnjëherë me qetësimin e ngatërrestarëve dhe kriminelëve, vetëm me shtetin ligjor” – ka shkruar ajo në twitter.

Sot, pas më shumë se pesë orësh takim, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje në Bruksel.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së për mosrespektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.