Gërvalla e pranon se Kosova ka ngecur në procesin e njohjeve të reja

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka komentuar mungesën e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës duke e pranuar se ka ngecje në procesin e njohjes së shtetësisë së Kosovës, por që sipas saj kjo është një ngecje e vazhdueshme nga vitet e kaluara.

“Është e vërtetë që çështja e njohjeve ka ngecur por nuk ka ngecur vetëm në vitin e fundit por ka një ngecje të vazhdueshme në vitet e kaluara”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla shtoi se MPJD-ja, Qeveria e Presidenca janë duke punuar për njohje të reja në baza ditore.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Qeveria në përgjithësi duke përfshirë edhe institucionin e Presidentes dhe kolegë të tjerë po punojmë në mënyrë të vazhdueshme për njohje të reja në baza ditore. Progresin që e kemi nuk do të mund ta them sot publikisht, në këto suaza sepse janë tema sensitive që rrezikojmë t’i çojmë në drejtim të gabuar nëse vazhdojmë të flasim publikisht rreth tyre”, deklaroi ajo.