Foto: AGK

Gazetarët afganë nga e hëna do të fillojnë t’i shfrytëzojnë hapësirat e Radio Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se gazetarët afganë që janë të strehuar në Kosovë do të kenë hapësira të punës për ta ushtruar profesionin.

Sipas AGK-së. Ata do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë hapësirat e Radio Kosovës.

“Gazetarët afganë të strehuar në Kosovë, që nga e hëna do të fillojnë të punojnë në hapësirat e Radio Kosovës. Përveç hapësirave, ata kanë në dispozicion për përdorim edhe mjetet e punës në këtë objekt” – thuhet në njoftim.

“Për ofrimin e shfrytëzimit të hapësirave të transmetuesit publik, ishte zotuar Drejtori Gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj, qysh në prill të vitit të kaluar, kur në Kosovë ishte strehuar edhe gazetarja e parë ukrainase” – vijon njoftimi.

Në Kosovë janë duke u strehuar pesë gazetarë nga Afganistani ndërsa gazetarë që po strehohen në vendin tonë ka edhe nga Ukraina.