Gastronomët dalin me 8 kërkesa për ministrin Hekuran Murati

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës kanë dalë me 8 kërkesa për ministrin e Financave, Hekuran Murati, pasi është paralajmëruar ashpërsimi i masave anti-COVID-19, që e prek edhe këtë sektor.

Vendimin për ashpërsimin e masave, Shoqata e Gastronomëve e ka mirëkuptuar, duke u bazuar në gjendjen e rënduar me COVID-19.

Mirëpo, përmes një komunikate për media, Gastronomët kanë thënë se këto kufizime nuk janë të drejta, pasi sipas tyre, mungon përkrahja e Qeverisë ndaj këtij sektori.

“Bizneset po mbyllen dhe të njëjtat po lihen në mëshirën e temperaturave atmosferike dhe kapaciteteve të secilit veç e veç me hapësira katrore të terasës, për t’i dalur ballë shpenzimeve operative ku përfshihen pagat e punëtorëve dhe obligimet e qirasë, likuidimit të kredive, obligimeve ndaj ATK-së”, thuhet në komunikatë.

Ata kanë thënë se është i nevojshëm një bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përkatësisht me ministrin Hekuran Murati, prandaj kanë paraqitur 8 kërkesa, si më poshtë:

  1. Subvencionimi i gjysmës së pagës mesatare të punëtorëve për 3 muaj radhas.
  2. Mbulimi i shpenzimeve operative (qiratë, rryma, uji, mbeturinat) – të vitit 2020 dhe 2021 për bizneset që kanë zhvilluar aktivitet të pjesshëm ekonomik.

III. Kompensim mujor për pronarët e bizneseve të cilat nuk janë lejuar të operojnë gjatë pandemisë. Kompensimi duhet të përcaktohet nga 10% të fitimit neto të vitit 2019. Kjo pagesë duhet t’iu ndahet në baza mujore për një periudhë të arsyeshme.

  1. Të bëhen ndryshimet ligjore që mundësojnë pagesën e detyrimeve tatimore aktuale, të paguhen në vitin pasues me këste 3 mujore pasdhënie (Sipas sistemit Anglez). Kjo vlen vetëm për tatimin në fitimin e tatueshëm për Korporata, si dhe tatimin në të ardhurat personale të tatueshme për Bizneset Individuale. Ofrimi i kësaj mundësie nënkupton që obligimet tatimore të periudhës 2021, të paguhen në formë të kësteve pasdhënie në vitin 2022. Kjo formë e pagesës të aplikohet për periudhat e ardhshme tatimore.
  2. Të ndryshohet pragu i kalkulimit të të ardhurave personale të pa tatueshme në paga, nga 960,00 euro në vit (80,00 euro në muaj), në 1.800,00 në vit (150,00 në muaj). Ndërsa për paga më të larta të gjendet një proporcion i arsyeshëm, në mënyrë që të aplikohen shkallët tatimore prej: 4%; 8%; dhe 10%.
  3. Të shtyhen pagesat e afateve të kredive dhe kthimit të mbitërheqjeve të vjetra (para pandemisë). Interesi të subvencionohet nga buxheti i shtetit.

VII. Të shqyrtohet reduktimi i normave tatimore në pagat e punëtorëve dhe tatimit ne fitim.

VIII. Të zgjatet vendosja e TVSH-së në shitje në 8% deri më 31 dhjetor 2026.

Presim reagim urgjent të institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të veprohet drejtë dhe në kohë në raport me vështirësitë ekonomike që po ballafaqohen bizneset e gastronomisë, dhe që po pritet të intensifikohen gjatë javës së ardhshme!