Francë: Protestat shpërthejnë pranë Parisit pasi një 17-vjeçar u qëllua për vdekje nga policia

Policia është përleshur me protestuesit gjatë natës, vetëm disa orë pasi presidenti francez Emmanuel Macron e quajti vdekjen e një shoferi transportues 17-vjeçar nga policia “të pafalshme”.

Ishte nata e dytë e dhunës në periferinë e Parisit, Nanterre, edhe pse qeveria e shtoi praninë e policisë në Paris dhe qytete të tjera të mëdha të mërkurën, pasi vrasja shkaktoi një natë dhune të shpërndarë gjithandej.

Vdekja e 17-vjeçarit Nael gjatë një kontrolli trafiku të martën në periferi të Parisit, në Nanterre, shkaktoi shqetësim mbarëkombëtar dhe mesazhe të përhapura indinjate dhe ngushëllimesh. Ylli francez i futbollit Kylian Mbappe shkroi në Tëitter: “Ndiej dhimbje për Francën time”. Mbiemri i Naelit nuk është bërë publik nga autoritetet apo nga familja e tij.

Videot e incidentit të shpërndara në internet shfaqin dy zyrtarë policie duke u mbështetur në xhamin e shoferit të një automjeti të verdhë përpara se automjeti të largohet ndërkohë që një polic qëllon në dritare. Automjeti shihet më vonë e përplasur në një shtyllë aty pranë.

Viktima, i cili ngaste automjetin, u plagos nga një armë zjarri dhe ndërroi jetë në vendngjarje, thuhet në njoftimin e prokurorisë. Një pasagjer në automjet u ndalua dhe u lirua për pak kohë, ndërsa policia është në kërkim të një pasagjeri tjetër të arratisur.

Zemërimi për vrasjen e të riut 17 vjeçar shkaktoi trazira në qytete të shumta përreth Parisit. Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se 31 persona janë arrestuar, 24 zyrtarë policie janë plagosur dhe 40 automjete janë djegur në trazirat e natës.

Zyrtari i policisë i dyshuar se ka qëlluar mbi 17 vjeçarin Nael mbetet në paraburgim dhe përballet me akuza të mundshme për vrasje nga pakujdesia, sipas zyrës së prokurorit të Nanterre.

Disa njerëz kanë vdekur ose kanë pësuar lëndime në duart e policisë franceze vitet e fundit, duke nxitur kërkesat për më shumë përgjegjësi. Franca dëshmoi gjithashtu protesta kundër profilizimit racor dhe padrejtësive të tjera pas vrasjes së George Floyd nga policia në Minesota.

Presidenti francez Macron ka bërë thirrje për qetësi dhe respekt për të dashurit e Naelit. I pyetur për abuzimet e policisë, ai tha se drejtësia duhet të lejohet ta kryejë punën e vet.

Një avokat i familjes së Nael, Yassine Bouzrou, tha për Associated Press se ata duan që zyrtari i policisë të ndiqet për vrasje në vend të vrasjes nga pakujdesia dhe duan që hetimi t’i dorëzohet një rajoni tjetër, sepse ata kanë frikë se hetuesit e rajonit të Nanterës nuk do të jenë të paanshëm.

Avokatët e kanë hedhur poshtë një deklaratë të raportuar nga zyrtarët e policisë se ata besonin se jeta e tyre ishte në rrezik sepse shoferi i kishte kërcënuar se do t’i përplaste./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala