FOTO: Dëmtohet përsëri çerdhja në Greme të Ferizajt

Çerdhja publike është dëmtuar për të dytën herë në fshatin Greme të Ferizajt.

Objekti i çerdhes, që ende nuk është në funksion, ishte dëmtuar edhe gjatë muajit prill të vitit 2020, ndërsa ditë më parë janë shkaktuar dëme më të mëdha sesa herën e kaluar.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, i cili ka thënë se çerdhja ishte afër funksionalizmit.

“Ne kemi ndërru dorezën e derës, aty ish bë një vandalizëm për të cilën nuk mundet me imagjinu mendja e njeriut”, është shprehur Llabjani.

Tutje, ai ka thënë se nuk është në dijeni se është njoftuar Policia dhe se ende nuk janë identifikuar personat të cilët kanë shkaktuar këto dëme.

Kjo çerdhe është ndërtuar më 15 nëntor të vitit 2016 ndërsa deri më tani nuk ka qenë funksionale asnjëherë edhe pse sipas drejtorit Llabjani ajo ka qenë e gatshme për të funksionuar.

Kryetari i Komunës, Agim Aliu, në emisionin “Jeta në Komunë”, kishte thënë se çerdhja mund të hyjë në funksion gjatë vitit 2020, po e njëjta nuk është funksionalizuar.