Foto: ZKM

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë i del në mbështetje Shkëlzen Gashit

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë i ka dalë në mbështetje Shkëlzen Gashit, ish këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Një deklarim i Gashit në një emision televiziv në Kosovë në lidhje me krimet e luftës në Kosovë ngjalli reagime të shumta gjatë ditës së djeshme dhe sot, meqë rast kryeministri në detyrë ka vendosur ta shkarkoj atë.

Fondi për të Drejtën Humantiare në Kosovë përmes një reagimi për media i ka dalë në mbështetje Gashit, duke thënë se akuzat ndaj këtij të fundit e mohojnë të drejtën e viktimave dhe familjarëve të tyre për drejtësi.

“Pas emisionit z. Gashi u targetua publikisht me kritika të ashpra për qëndrimet e tij nga individë por edhe përfaqësues të organizatave dhe shoqatave të ndryshme si dhe nga përfaqësues të partive politike. Në këtë mënyrë, duke e promovuar kulturën e mos-ndëshkueshmërisë si shoqëri, ne pamundësojmë procesin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe mohojmë të drejtën e viktimave dhe familjareve tyre për drejtësi”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Tutje në reagim thuhet se sundimi i ligjit dhe drejtësia për të gjitha viktimat civile në Kosovë duhet të jetë dhe të mbetet prioritet i shoqërisë kosovare.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë shkruajnë se nga 1 janari i  vitit 1998 deri me 31 dhjetor 2000, në Kosovë kanë humbur jetën dhe/apo janë zhdukur 10093 civilë, nga ta 8645 shqiptarë, 1013 serbë, 262 RAE, 84 boshnjakë dhe 203 të përkatësive tjera etnike.