Deklaratat për krimet e luftës duhet të bazohen në të vërtetën e jo në “FakeNews”

Kur flasin për të kaluarën dhe veçanërisht për krimet e luftës mediat politikanët por edhe publiku i gjerë duhet të bazohen vetëm në fakte e jo në materiale të falsifikuara apo të shtrembëruara.

Këtë konstatim e ka nxjerrë Fondi për të Drejtën Humanitare në analizë të publikuar lidhur me diskursin publik të përdorur në debatet dhe diskutimet për  “Ballafaqimit me të Kaluarën”

Analiza e cila shpërfaqë dëmet të cilat u shkaktuan pasi ish-deputetja Flora Brovina publikoj një fotografi në Kuvendin e Kosovës në të cilën ajo pretendonte se shfaqeshin skenat e dhunimit të grave Kosovare. Fotografia që doli të ishte e një faqeje pornografike ndërsa përdorimi i materialeve të falsifikuara sipas FDH mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.

“Kjo mund të çojë në keqinterpretime të së kaluarës, mohim të krimeve ose akuza të pabaza. Gjithashtu, kjo do të përkeqësojë më tej tensionet dhe ndjenjat negative midis anëtarëve të një bashkësie ose ndërmjet bashkësive”, thuhet në raport.

Raporti shfaqë në tërësi analizën se si deputetja shfaqi në Kuvend fotografinë dhe mënyrën se si u konstatua se fotografia ishte e manipuluar ndërsa rekomandon që të gjithë bartësit e funksioneve publike para se të bëjnë deklarime ti kontrollojë faktet.

Më 16 maj të vitit 2019, gjatë një seance të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, një deputete e Kuvendit doli para gazetarëve me një fotografi e cila sipas saj ishte provë e krimeve të luftës së fundit në Kosovë.

“Fotografia e cila kishte përmbajtje të rëndë, shfaqte një skenë dhunimi, në të cilën shihej një grua, të cilën po e dhunonin disa persona, në prani të familjarëve të saj. Sipas deputetes, një akt i tillë ishte kryer nga ushtarët serb, e të njëjtit i kishin detyruar familjarët e viktimës që ta shikonin aktin e dhunimit”, thuhet në raport.

Sipas këtij raport, deputetja fillimisht kishte thënë se fotografinë e kishte marrë nga një aktivist për të drejtat e njeriut, përkatësisht nga Këshilli për Mbrojtjen të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), në vitin 2003.

Sipas deputetes, gruaja në fotografi ishte ende gjallë dhe tanimë 50 vjeçe, ndërsa në kohën kur ishte dhunuar i kishte pasur 35 vjet.

“Deputetja pretendonte se kjo fotografi ishte gjetur në një aparat fotografik të një ushtari serb i cili ishte gjetur i vrarë dhe për rastin kishin pasur njohuri UNMIK-u dhe EULEX-i”, thuhet në raport.

Sipas raportit, deputetja kishte thënë se ka kontaktuar familjarët dhe kishte marrë lejen që edhe ta publikonte fotografinë.

Por, kjo fotografi sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, kishte qarkulluar në media duke u shpjeguar se fotografia e kërkuar në Google, del të jetë ngarkuar në një faqe online që kryesisht ka përmbajtje pornografike.

Ndërsa në disa faqe tjera sipas raportit përshkruhej si krim që ushtarët amerikanë kanë bërë ndaj grave irakiane.

Deputetja sipas këtij raporti mohonte se fotografia ishte e marrë nga interneti dhe deklaronte se e njeh viktimën dhe se e kishte marrë lejen e saj për publikim.

Deputetja sipas raportit është intervistuar edhe nga prokuroria të cilët nuk kishin informacion për këtë dëshmi.

Gjatë intervistomi para prokurorisë, deputetja kishte dhënë deklarata kontradiktore me të një dite më parë, për të cilat konfirmoi edhe vetë Prokurorja e rastit menjëherë pas intervistimit.

“Deputetja në Prokurori kishte deklaruar se ajo e kishte në posedim këtë fotografi nga viti 2003, kur edhe ishte kryetare e Komisionit Parlamentar për Persona të Zhdukur”, thuhet në raport.

Sipas raportit zarfin e mbyllur me fotografi deputetes ia kishte sjellë nënkryetarja e Komisionit Mevlyde Saraçi të cilin e hapën së bashku.

Deputetja sipas këtij raporti kishte kërkuar falje publike ndaj popullit dhe gjitha grave të dhunuara.

Ndërkaq, Mevlyde Saraçi, e kishte demantuar deputeten duke thënë se nuk i ka dorëzuar zarf me fotografi dhe kishte pohuar se nuk kishte qenë asnjëherë nënkryetare e këtij Komisioni. Saraçi kishte paralajmëruar edhe padi ndaj deputetes.

Prokurorja kishte njoftuar se fotografia ishte dashur që t’i nënshtrohej ekspertizës, në mënyrë që të bëhet krahasimi në mes të fotografisë së prezantuar dhe ato të publikuara online.

“Fotografia u dërgua për ekspertizë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, e cila edhe më pas konstatoi se fotografia e paraqitur nga deputetja nuk i përket luftës së fundit në Kosovë”, thuhet tutje në raport.

Pasojat nga publikimi i fotografisë së pa verifikuar

Raporti i lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka përmendur pasojat e shkaktuara nga publikimi i fotografisë.

“Publikimi i kësaj fotografie kishte nxitur reagime të shumta si nga ana e personaliteteve publike, qytetarëve e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë”, thuhet në raport.

Për këtë ngjarje kishin reaguar edhe krerët institucional, kryeministri i atë hershëm Ramush Haradinaj dhe ish presidentja Atifete Jahjaga.
Haradinaj kishte thënë se të gjithë ata persona të cilët i kanë mohuar krimet e luftës, ishin larguar nga institucionet shtetërore dhe për më tepër të gjithë ata të cilët i kanë kryer këto krime, e kanë vendin në burg, kushdo dhe kudo qofshin ata.

Ndërsa Jahjaga, kishte shprehur revoltë të jashtëzakonshme përmes një postimi në rrjetin social Facebook ku kishte thënë se “Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”.

Edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kishte raportuar se kanë pranuar numër të madh telefonatash dhe reagimesh të cilat ata i kishin pranuar nga ana e viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë gjatë konfliktit, si shkak i publikimit të fotografisë.

“Në një intervistë të realizuar me një përfaqësues të kësaj Qendre, nga ana e FDHK, u tha se vetë të mbijetuarat, kanë qenë të trishtuara dhe të hutuara, duke e parë këtë si sulm dhe ngjallje të traumës. Një gjë e tillë ka ardhur pikërisht në kohën kur bëhej fushatë për luftimin e stigmës që i rrethon të mbijetuarit dhe inkurajimin e të mbijetuarve për të aplikuar për njohjen e statusit të tyre. Si efekt i menjëhershëm ka qenë hezitimi i të mbijetuarve që të aplikojnë për këtë status”, thuhet tutje në raport.

Paraqitja mediale e vazhdueshme brenda atyre ditëve, ndikoi edhe tek qytetarët, të cilët i kishin shprehur pakënaqësitë e tyre përmes rrjeteve sociale. Ata ndër tjerash kërkuan edhe llogari për ngjarjen, duke qenë se pjesën dërrmuese të tyre i kishte prekur në plagë të vjetra, të cilët kishin vite që po mundoheshin t’i rikuperonin.
Edhe qytetarët serb reaguan ndaj publikimit të fotografisë ku u tentua që krimi i paraqitur në të, të prezantohet si krim i kryer nga forcat serbe.

Në shenjë revolte, më 20 maj 2019, ishte organizua një marsh protestues nga ana e organizatave që përfaqësojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Prokuroria iu bëri thirrje të gjithë personave që posedojnë dëshmi të cilat mund të jenë të rëndësishme për identifikimin e kryerësve të mundshëm të veprave penale që lidhen me krimet e luftës, të i sjellin në Prokurorinë Speciale, pasi që provat dhe dëshmitë duhet të dorëzohen në prokurori e polici e jo përmes mediave e seancave parlamentare.

Parimet për ballafaqimin me të kaluarën është një iniciativë qytetare, e promovuar nga koalicioni jo formal i përbërë nga 4 organizata dhe një eksperte: Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës, Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe Nora Ahmetaj.

Kjo iniciativë ka për qëllim që të parandalojë diskursin dhe veprimet e dëmshme në lidhje me trashëgiminë e konfliktit dhe do të shërbejë si dokument referues, ku secili/a që shkel parimet e tij/saj duhet të mbahet moralisht përgjegjës.

Ky projekt implementohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, dhe përmbajtja e përfshirë në këtë analizë nuk pasqyron pikëpamjet e tyre.