Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përkujtimi i viktimave pse memorialet duhet të përmabajnë emrat e viktimave pa dallim etnie

Fondi për të Drejtën Humanitare, përmes një raporti të publikuar, ka trajtuar temën e barazisë, respektimin dhe gjithë përfshirjen e qytetarëve, posaçërisht të viktimave e të mbijetuarve të luftës së fundit në Kosovë.

Në raportim janë cekur disa raste, kur në pllakat përkujtimore nuk janë përfshirë emrat e viktimave të etnive të tjera përveç ato shqiptare.

“Duke qenë se këto të drejta janë të garantuara përmes legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar, nuk duhet të tolerohet trajtimi jo i barabartë dhe i pa dinjitetshëm ndaj cilës do kategori shoqërore, pavarësisht elementeve dalluese në mes tyre”, thuhet në raport.

Mos përfshirja e emrit të vajzës rome në pllakën përkujtimore në Mitrovicë, është marr shembull në këtë raport ku thuhet se më 13 maj të vitit 1999, në tregun e gjelbër të Mitrovicës kishte shpërthyer një bombë, dhe sipas të dhënave të FDHK, mbetën të vdekur 7 persona, prej tyre 3 femra e 4 meshkuj dhe të plagosur dhjetëra të tjerë.

Ndërsa në përvjetorin e 21-të të këtij incidenti, më datë 13 maj 2020, në këtë raport thuhet se u ngrit pllaka e re përkujtimore, e cila zëvendësonte pllakën e vjetër, në kujtim të viktimave dhe të plagosurve të atij sulmi.

“Në njërën pjesë të pllakës ishte shkruar narrativi i incidentit, me tekst ‘Këtu me 13 mars 1999, në orën 14:20 min, granata e shkrepur nga dora barbare e ushtrisë dhe policisë serbe u mori jetën 6 vetave dhe i plagosi 128 të tjerë’. Ndërsa në pjesën tjetër të pllakës, ishin gdhendur emrat e gjashtë viktimave shqiptare, por jo edhe emri i Elizabeta Hasanit, vajzë e mitur e komunitetit rom”, thuhet në raport.

Mos përfshirja e emrit të saj nga Komuna e Mitrovicës, sipas këtij raporti shkaktoi reagime të shumta, por nga to më të bujshmet kishin qenë reagimet e dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha e Albert Kinolli, përfaqësues të komuniteteve jo serbe, kanë kërkuar përfshirjen e vajzës në pllakën përkujtimore të ngritur në Mitrovicën e Jugut.

Në raport thuhej se Albert Kinolli pas reagimit të tij, kishte mbajtur një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri, nga i cili ishte njoftuar se ky lëshim kishte ndodhur pa qëllim dhe në mungesë të informacioneve.

Mospërfshirja e emrit të saj në pllakën përkujtimore e kishte prekur më së shumti babanë e Elizabetës, Rrahim Hasanin.

Ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë kishte shprehur dhimbjen e tij, duke thënë se, “më dhemb zemra, beso. Duhet të dihet kush është duke pushuar aty… Kur e ka emrin aty, edhe mua zemra më pushon, më vjen më lehtë. A kështu po më duket keq, shumë keq.”

Si rezultat i reagimeve të shumta dhe premtimit të komunës që emri i viktimës t’i shtohet pllakës përkujtimore, më 17 gusht të vitit 2020, Komuna e Mitrovicës e kishte vendosur emrin e Elizabeta Hasanit në pllakë.

Në raport ceket se kryetari i Komunës Agim Bahtiri së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka dhe ish deputetin Albert Kinolli, zbuluan emrin e saj në pllakën përkujtimore.

Sipas raportit, ky rast dëshmon se ende sot pjesëtarë të etnive të ndryshme nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Pas më shumë se dy dekadave të përfundimit të luftës, institucionet shtetërore nuk duhet të japin arsyetime se nuk kanë pasur informacione të mjaftueshme, duke qenë se ata e kanë për detyrë që të verifikojnë dhe të dokumentojnë ngjarjet e së kaluarës. Mungesa e informacioneve që ka për pasojë mos përfshirjen e viktimave për shkak të etnisë së tyre, nuk i kontribuon pajtimit në mes të etnive në Kosovë”, thuhet në raport.
Në raport janë shtjelluar edhe dy raste të tjera të ngjashme të përjashtimit të viktimave Serbe në pllakën përkujtimore në Lluzhan të Podujevës.

Sipas raportit më 1 maj të vitit 1999, NATO kishte goditur një autobus i cili po kalonte mbi urë në fshatin Lluzhan të Komunës së Podujevës. Në këtë incident sipas të dhënave të FDHK, kishin humbur jetën gjithsej 44 persona, 31 nga të cilët kishin qenë civilë shqiptarë dhe 13 të tjerë serb, prej të cilëve 7 ishin civilë.
“Në përvjetorin e 22-të të incidentit tragjik, përkatësisht më 1 maj 2021, në vendin e ngjarjes u përurua një pllakë përkujtimore, në të cilën ishin gravuar emrat e 31 viktimave të nacionalitetit shqiptarë. Ndërsa numri rendor 32, në vend të emrit të ndonjë viktime, përmbante tri pika”, thuhet në raport.

Raporti tregon se kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, kishte thënë se ky memorial u ndërtua nga Komuna e Podujevës, por me iniciativë të përbashkët me familjet e viktimave. Ndërsa sipas raportit në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, i njëjti e kishte postuar fjalimin, të cilin edhe e kishte mbajtur gjatë asaj dite, ku thoshte se “bashkë me kolegë të ekzekutivit, anëtarë të familjeve të viktimave dhe qytetarë kemi shpalosur pllakën përkujtimore me të gjithë emrat e viktimave që kanë pësuar nga kjo tragjedi. Sot janë bërë 22 vjet, kur në urën e Lluzhanit u vranë 31 shqiptarë të pafajshëm”.

Për këtë mos përfshirje ka reaguar FDHK, duke kërkuar paraqitjen e drejtë të ngjarjes dhe përfshirjen e të gjitha viktimave të cilat kanë humbur jetën në atë incident. Raporti tregon se ky reagim ishte mbështetur edhe nga koalicioni jo formal i organizatave jo qeveritare dhe gjithashtu është transmetuar nga një numër i madh i mediave kosovare.
Në një përgjigje zyrtare të cilën e ka kishte dhënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia për një televizion thuhet se në memorial janë të përfshirë të gjithë emrat e të vdekurve të bazuara në raportet të cilat janë të regjistruara në Komunë dhe se numri 32 në memorial tregon viktimat që nuk janë të regjistruara.

“Prandaj nga deklarimet e mësipërme të dhëna nga vet Komuna e Podujevës, kuptojmë që komuna kishte pasur informacione se në këtë incident kishin humbur jetën edhe viktima të tjera, duke pasur parasysh edhe vendosjen e pikave në numrin 32 të listuar në pllakën përkujtimore. Atëherë ata është dashur të bëjnë hulumtime shtesë në mënyrë që të sigurojnë informacionet e sakta në lidhje me numrin dhe nacionalitetin e viktimave. Me pak përkushtim do të mund të kishin qasje në raportimet e shumta në lidhje me incidentin, duke përfshirë këtu edhe raportimet të cilat ishin bërë nga mediat ndërkombëtare”, thuhet tutje në raport.

Raporti thekson se përjashtimi i viktimave nga pllakat përkujtimore është i papranueshëm, pasi që viktimat të cilat e kanë humbur jetën në kohë dhe rrethana të njëjta, nuk mund të ndahen mbi baza etnike e as mbi baza të tjera.

Raporti përmend edhe denigrimin e viktimave Serbe gjatë debateve televizive.

Sipas këtij raportit nëse bazohemi në të dhënat e përditësuara në databazën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të vitin 2020, aty figurojnë 1645 persona të zhdukur, prej të cilëve mbi 400 të nacionalitetit serb.

“Kjo listë e personave të zhdukur është listë mbi të cilën bazohet edhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Andaj pavarësisht numrit dhe etnisë së personave që ende sot rezultojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, zbulimi i fatit të tyre duhet gjithmonë të trajtohet me prioritet dhe rëndësi të veçantë”, përfundon raporti.

Në këtë raport janë dhënë disa rekomandime.

“Meqenëse trashëgimia e luftës është një çështje shumë e ndjeshme ajo duhet të trajtohet në mënyrë të kujdesshme duke evituar mundësitë që të fyhen, denigrohen dhe përjashtohen viktimat”, thuhet në rekomandimet e raportit.

Rekomandim tjetër i raportit ishte që memorializimi i së kaluarës dhe përkujtimi i viktimave, duke përfshirë edhe ngritjen e memorialëve në nderim të tyre,  duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, jo diskriminuese dhe pa përjashtime. Sipas raportit të gjitha institucionet, ato qendrore dhe lokale, duhen të jenë të kujdesshëm që kur të ndërtojnë një pllakë përkujtimore apo memorial, e ku përmenden emrat e viktimave, të sigurohen që në atë pllakë përkujtimore apo memorial janë shënuar emrat e të gjitha viktimave, pa marrë parasysh gjininë, statusin, prejardhjen etnike apo racore.

“Të gjithë personat të cilët flasin në publik në lidhje me viktimat e luftës, e sidomos përfaqësuesit e partive dhe institucioneve të vendit, duhet të bazohen në fakte të vërtetuara dhe mos të përmendin shifra të viktimave në mënyrë arbitrare. Gjithashtu, në fjalimet publike përfaqësuesit e institucioneve nuk duhet të nënçmojnë një grup të viktimave dhe të promovojnë pabarazinë për viktimat. Një diskurs i tillë do të fyejë viktimat, do e rritë mosbesimin ndaj institucioneve dhe në periudhë afatgjate do e pengojë arritjen e pajtimit”, thuhet në rekomandimin e fundit të raportit.

Parimet për ballafaqimin me të kaluarën është një iniciativë qytetare, e promovuar nga koalicioni jo formal i përbërë nga 5 organizata dhe një eksperte: Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës, Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, BIRN dhe Nora Ahmetaj.

Ky projekt implementohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, dhe përmbajtja e përfshirë në këtë analizë nuk pasqyron pikëpamjet e tyre.