"Të dënuarit për krime lufte në Ballkan, të mbahen jashtë pozitave publike’

Fondi për të Drejtën Humanitare, përmes një raporti ka vlerësuar se personat që janë dënuar për krime në lidhje me konfliktin nuk duhet të mbajnë pozita publike ose të trajtohen si heronj kombëtarë.

Sipas këtij raporti personat e dënuar për krime lufte në lidhje me konfliktin e armatosur nuk duhet të mbajnë asnjë detyrë institucionale, as nuk duhet të kenë qasje në informacione të ndjeshme në lidhje me sigurinë shtetërore dhe publike.

“Trajtimi i të dënuarve për krime lufte si heronj cenon dinjitetin e viktimave dhe të mbijetuarve/ave. Për më tepër, lavdërimi dhe mbajtja e të dënuarve për krime lufte në një pozicion publik do të dëmtonte seriozisht procesin e rivendosjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, veçanërisht për komunitetin e viktimave. Në një afat më të gjatë, lavdërimi i të dënuarve për krime lufte do të shtrembëronte narrativat historike për brezat e ardhshëm”, thuhet në raport.

Qysh në hyrje të raportit theksohet se personat të cilët kanë kryer krime të luftës, krime të cilat janë vërtetuar me vendime të gjykatës, janë persona të cilët duhet të vuajnë dënimin e tyre të dhënë nga gjykata dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të glorifikohen.

Tutje thuhet se ata nuk duhet të mbajnë pozita të larta publike dhe shtetërore, edhe pas vuajtjes së dënimit të tyre.

“Një gjë e tillë e dëmton përpjekjen e viktimave për të tejkaluar dhimbjet dhe traumat e tyre, të cilat ata i kanë përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe përpjekjen mbi 20 vjeçare për të vënë në pah para qytetarëve narrativat e sakta të ngjarjeve të luftës”, thuhet në raport.

Raporti numëron disa raste kur personat e tillë kanë mbajtur pozita të larta shtetërore ose edhe janë nderuar me dekorata të ndryshme, e janë trajtuar si heronj.

“Gjëra të tilla mund të shkaktojnë konfuzion tek qytetarët, duke vënë në pikëpyetje së pari kredibilitetin e sistemit të drejtësisë dhe në anën tjetër padyshim edhe kredibilitetin e institucioneve të tjera publike dhe politike”, thuhet tutje.

Glorifikimi dhe emërimi i të dënuarve për krime lufte në pozita të larta politike

Raporti ka përmendur rastin e ndodhur në Serbi, të V.L., i cili ishte komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, e i dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

“Pas lirimit të tij nga vuajtja e dënimit, ai ishte mirëpritur dhe ishte lartësuar si hero. Pak kohë më vonë ai ishte emëruar si pedagog në Akademinë Ushtarake Serbe. Për një gjë të tillë, përpos që kishte pasur reagime nga komuniteti ndërkombëtarë, gjithashtu kishte reaguar edhe në atë kohë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, është shtuar në raport duke u thënë se reagimi i ish presidentit mund të përmendet si një shembull pozitiv për të ndjekur edhe në Kosovë, për këdo që ka qenë i dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte, duke pamundësuar emërimin e tyre në pozita të larta dhe të rëndësishme shtetërore.

Raporti tregon raste të tilla edhe në Kosovë.

Në bazë të të dhënave të cilat janë siguruar nga FDHK në lidhje me rastin e S.S., ish komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, ai ishte i akuzuar në rastin “Drenica 2” dhe gjithashtu i dënuar për krime të luftës kundër popullsisë civile.

I njëjti sipas këtyre të dhënave ishte dënuar me aktgjykim të formës së prerë, me të cilin i ishte shqiptuar dënimi unik me burgosje në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vitesh.
“Përkundër këtij fakti, në momentin kur ai ishte liruar nga vuajtja e dënimit, kishte filluar të trajtohej si hero i luftës. Mbi të gjitha ai kishte pranuar edhe pozita të larta publike/politike, e që një gjë e tillë padyshim ndikon negativisht në trajtimin dinjitoz të viktimave”, thuhet në raport.

Gjithashtu S.S gjatë kohës sa ai ishte në vuajtje të dënimit të tij, kishte pranuar një dekoratë nga ana e Presidentit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Raporti tregon se S.S pas lirimit me kusht nga Burgu personalitete publike e kishin mirëpritur dhe trajtuar si hero.

Përkundër kësaj, raporti tregon se përpos urimeve dhe lavdërimeve publike të bëra nga personalitetet kyçe të asaj kohe në Kosovë, për shkak të lirimit të tij nga burgu, vet kryeministri i Kosovës i asaj kohe, disa ditë më pas, e emëroi S.S. si këshilltarë të tij politik.

“Në raportin e vitit 2018 të FDHK, thuhet se kjo është hera e parë që një i dënuar për krime lufte të emërohet në funksion të lartë politik. Mbi të gjitha sipas këtij raporti thuhet se nuk ka dispozita ligjore që e ndalojnë një gjë të tillë, por që pesha politike dhe juridike e një vendimi të tillë është shumë e madhe, si për ndjekjen e kryerësve të tjerë të krimeve të luftës ashtu edhe për sundimin e ligjit mbi politikë”, theksohet në raport.

Një veprim i tillë ishte kundërshtuar nga dy organizata jo-qeveritare dhe gjithashtu nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.

“Pas këtyre ngjarjeve të cilat ndodhën pas lirimit të tij nga burgu, S.S. ishte propozuar për riemërim në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Republikën e Shqipërisë, pozitë të cilën e kishte mbajtur edhe para arrestimit të tij në vitin 2013”, shtohet në raport.

Raporti tregon edhe shembullin se si B.Z., person me bagazh publik dhe politik iu ishte konfirmuar një pjesë e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe një pjesë e ankesës së paraqitur në dobi të tij në lidhje me dënimin, dhe si përfundim i ishte shqiptuar dënimi me gjashtë vite burgim nga Gjykata Supreme e Kosovës më 10 prill 2009, si aktgjykim i formës së prerë për krime lufte kundër popullsisë civile.

Përkundër faktit se i njëjti është dënuar për krime lufte, raporti tregon se ai aktualisht ushtron një funksion shumë të rëndësishëm shtetëror, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

“Është e qartë që ai udhëheq një nga institucionet shumë të rëndësishme të vendit dhe ku ka qasje në dokumente të ndjeshme nga lëndët arkivore shtetërore’, thuhet në raport.
Raporti rekomandon që vërtetimi i të kaluarës kriminale duhet rregulluar me akte të ndryshme ligjore, duke u paraqitur si kriter bazë, për të gjithë personat të cilët aplikojnë në pozita të larta e në institucione publike dhe shtetërore dhe jo vetëm ndaj personave të cilët aplikojnë për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë.

“Në kuadër të strategjisë nacionale për Drejtësi Tranzicionale e cila është në proces të hartimit, duhet të përfshihen dispozita me të cilat personave të cilët janë të dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte, të mos u lejohet të bartin pozita të larta vendimmarrëse ose edhe publike/politike”, është rekomandimi tjetër i këtij raporti.

Parimet për ballafaqimin me të kaluarën është një iniciativë qytetare, e promovuar nga koalicioni jo formal i përbërë nga 5 organizata dhe një eksperte: Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës, Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, BIRN dhe Nora Ahmetaj.

Ky projekt implementohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, dhe përmbajtja e përfshirë në këtë analizë nuk pasqyron pikëpamjet e tyre.