Gjuha e urrejtjes mund të dërgoj në tragjedi

Duke analizuar situatën e krijuar gjatë trazirave të marsit 2004 Fondi për të Drejtën Humanitare ka konstatuar se gjuha e urrejtjes dhe informacionet e pasakta të publikuara në media mund të krijojnë pasoja të pariparueshme në shoqëri.

Raporti ka shtjelluar narrativen dhe gjuhën e urrejtjes të përdorur para dhe gjatë trazirave të marsit 2004 ku vdiqën mbi 20 persona dhe u lënduan dhjetëra të tjerë.

Sipas raportit trazirat e marsit filluan si pasojë e humbjes tragjike të jetës së tre fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër/Ibar, në Çabër/Čabra të Zubin Potokut/Zubin Potok, në ditën e 16 marsit.

“Mediat kanë raportuar se fëmijët kanë përfunduar në lumin Ibër/Ibar, për shkak se janë sulmuar nga serbët të cilët kishin edhe një qen me vete. Në mungesë të provave FDHK nuk e trajton çështjen nëse fëmijët humbën jetën si pasojë e ndjekjes nga ana e serbëve apo jo, edhe pse një prokuror ndërkombëtar, Peter Tinsley, i ka mbyllur hetimet mbi rastin duke konkluduar: ‘Asnjë i dyshuar nuk është identifikuar pavarësisht përpjekjeve të konsiderueshme’”, thuhet në raport.

Në këtë analizë janë shtjelluar vetëm raportimet mediale dhe prononcimet të cilat sipas raportit përmbanin elemente të gjuhës së urrejtjes, që kontribuan në masë të madhe në nisjen e trazirave të marsit.

“Në natën e ngjarjes tragjike por edhe në ditën e nesërme, mediat kanë qenë të tej mbushura me raportime jo profesionale, gjë që besohet se ka ndihmuar që situata të përkeqësohet edhe më tej”, thuhet në raport.

Si shkak i humbjes tragjike të jetërave të fëmijëve, raporti shpjegon se janë nisur trazira të mëdha në pjesën dërrmuese të Kosovës, ku pasojat ishin të mëdha duke.

“Përpos humbjes së jetërave të njerëzve, dëme janë shkaktuar edhe në shtëpia, e në të njëjtën kohë janë dëmtuar edhe një numër i madh i objekteve religjioze, të cilat janë demoluar apo edhe janë djegur”, thotë raporti.

Analiza e FDHK, thotë se sipas një raportimi të OSBE-së e cila i referohet raportit të sekretarit të përgjithshëm të administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara, Misioni në Kosovë, thuhet se si rezultat i trazirave, 19 persona ishin vrarë, prej tyre 11 shqiptarë të Kosovës dhe 8 serb të Kosovës, më shumë se 900 persona ishin lënduar, përfshirë këtu 65 policë ndërkombëtarë dhe 58 oficerë të Shërbimit Policor të Kosovës dhe më shumë se 800 ndërtesa ishin shkatërruar ose dëmtuar, përfshirë këtu 29 kisha ose manastire ortodokse. Raporti i FDHK thotë se raportin të cilin e ka realizuar OSBE-ja, me titull “Roli i mediave në ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë”, thuhet se edhe në shoqëritë që nuk kanë konflikte etnike, ndërlidhja e raportimeve mediale me humbjet e jetëve, e paraqet një ndarje me një vijë të hollë në mes të lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes.

“Mësimet e nxjerra nga marsi 2004 dhe roli i medias në mosbindjen civile e dhunën janë trajtuar në mediat më tradicionale si RTK, i cili paraqitet si transmetuesi i vetëm publik, por edhe në mediat e tjera private”, thuhet tutje.

Raporti përmend edhe disa raportime të mediave të cilat përmbanin mesazhe urrejtjeje ndaj etnisë serbe dhe të cilat ndihmuan që njerëzit të besojnë në ngjarjen e transmetuar dhe të i bashkohen turmave.

“Më 17 mars, përderisa dhuna tashmë ishte përhapur në Kosovë, të gjithë televizionet filluan të transmetonin edicione speciale në lidhje me mbytjen e fëmijëve dhe trazirat e dhunshme, në mënyrë të njëjtë si në natën paraprake”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se si pasojë e raportimeve mediale kanë përfshirë edhe disa dëshmi të qytetarëve të cilët tregonin për mënyrën se si ata e kanë parë ngjarjen dhe si kanë ndikuar raportimet tek ata.

Një ndër dëshmitarët e trazirave të marsit ishte edhe N.N nga Prishtina, pjesëmarrës në demonstrata, i cili gjatë një interviste të realizuar me FDH më 18 prill të vitit 2004, kishte treguar se cila ka qenë arsyeja e cila e ka shtyrë atë për të dalë. Ai tha se në mëngjesin e 17 mars 2004, të gjitha stacionet televizive kishin raportuar për ngjarjet në Mitrovicë, duke thënë se disa njerëz ishin vrarë dhe më shumë se 500 ishin lënduar.

N.N kishte thënë se kjo e ka mërzitur dhe iu është bashkangjitur demonstratës.

Në anën tjetër Lj.D, serb nga Kamenica, menaxher në një radio stacion multietnik, në intervistën e dhënë për FDH më 24 qershor 2004, tregoi se ai i kishte parë raportimet e këtyre dy ditëve si shtytje direkte në trazira.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka arritur të evidentojë edhe raste të tjera të cilat kanë nxitur urrejtje ndëretnike.

“Kemi raste kur zëdhënësit komunal shqiptarë kanë përdorur gjuhë të urrejtjes karshi të zhvendosurve serbë. Në anën tjetër kemi parë edhe anëtarë të kabineteve qeveritare, të cilët edhe përfaqësonin komunitetin serbë, të drejtohen me fjalime të cilat përmbanin gjuhë urrejtje karshi popullsisë shqiptare”, theksohet në raport.

Raporti ka dhënë edhe disa rekomandime për bartësit e posteve publike.

“Me qëllim të eleminimit të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, e duke pasur parasysh pasojat të cilat ajo i shkakton dhe duke qenë një shtet multienik, akterët publik dhe politik do të duhet të jenë më të vëmendshëm karshi gjuhës të cilën ata e përdorin në fjalimet dhe prononcimet e tyre televizive dhe veprimeve që shpesh mund të paraqiten si nxitëse për një pjesë të popullsisë”, thuhet në rekomandim.

Rekomandime në këtë raport janë listuar edhe për mediat.

“Duke pasur për bazë edhe rastin kyç të studimit të kësaj analize, mediat gjatë raportimeve të tyre, duhet të bazohen në informacione të sakta dhe në asnjë mënyrë mos të përdorin elemente të gjuhës së urrejtjes mbi çfarëdo baze, qofshin etnike, fetare, racore etj”, thuhet në rekomandim.

Gjithashtu raporti me rekomandim iu është drejtuar edhe palëve nënshkruese të Marrëveshjes për trajtimin e krimeve të urrejtjes.

“Drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që të përkujdesen që kjo Marrëveshje të zbatohet në mënyrë rigoroze dhe të gjithë personat me funksione të larta shtetërore, por edhe akterët e tjerë publik e politikë, në rastin e kryerjes së krimeve të urrejtjes, përpos masave disiplinore, të aplikohen sanksione penale në përputhje me KPRK-në, kështu që të njëjtat të shërbejnë si masa parandaluese dhe precendet për të gjitha rastet dhe shkeljet eventuale në të ardhmen”, përfundon rekomandimi.

Parimet për ballafaqimin me të kaluarën është një iniciativë qytetare, e promovuar nga koalicioni jo formal i përbërë nga Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS), Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), Integra, Kosovo Rehabilitation Center for Torture Victims (KRCT) dhe Neë Social Initiative (NSI).

Ky projekt implementohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, dhe përmbajtja e përfshirë në këtë analizë nuk pasqyron pikëpamjet e tyre.