Ilustrim

'Pasojat dhe rreziqet’ e zbulimit të identitetit të dëshmitarit në rastet që kanë të bëjnë me krime lufte

Shoqëria kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme ndaj rreziqeve të zbulimit të identitetit të dëshmitarëve në rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Masat mbrojtëse duhet të synojnë të kufizojnë ekspozimin e dëshmitarit ndaj kërcënimeve të mundshme dhe duhet të sigurojnë veprime të duhura ndaj kërcënimeve të jashtme.

Ky vlerësim është bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, përmes një raporti, ku thuhet se dëshmitarët janë subjekte sekondare të procedurës penale të cilët kanë parë ose kanë njohuri të caktuara në lidhje me një ngjarje dhe të cilët mund të konsiderohen si persona të besueshëm para gjykatës, e që kanë një rëndësi shumë të madhe sa i përket mbarëvajtjes dhe nxjerrjes së verdiktit final në lidhje me një procedurë penale.

Në raport thuhet se sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK) konsiderohet se “si dëshmitar thirret personi për të cilin besohet se mund të jep informata për veprën penale, për kryerësin dhe për rrethanat e rëndësishme për procedurën penale”.

Sipas raportit në raste të ndjeshme, dëshmitarët mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mos jetë i njohur dhe në anën tjetër deklarimet e tyre të bëhen në seanca pa prezencën e publikut, përkatësisht në seanca të mbyllura.

“Kur ndonjë dëshmitarë kërkon mbrojtje apo anonimitet të tij, gjykata do të duhet t’i mbrojë ata përmes masave ligjore respektive për këto raste”, thuhet në raport.

Raporti evidenton rastin kundër S.G. dhe të tjerëve dhe rastin “Drenica” se është ekspozuar njëri prej emrave të dëshmitarëve kryesorë të këtyre rasteve.

Sipas raportit në gjykimin i cili është mbajtur kundër S.G. dhe të tjerëve për të vërtetuar fajësinë e të pandehurve, prokuroria kishte propozuar 6 dëshmitarë, prej të cilëve 4 kishin dëshmuar përmes video linkut, 3 nga të cilët në bazë të kërkesave të tyre janë mbajtur në kushte të mbylljes së plotë të shqyrtimit kryesor për publikun dhe në shqyrtim kanë qenë të pranishëm vetëm palët në procedurë.
Si përfundim, sipas raportit në procedurën ankimore, gjykata kishte nxjerrë aktgjykim në lidhje me fajësinë e të pandehurve, ku secilit individualisht ia kishte shqiptuar dënimin me burgim në periudhë prej 8 viteve.

Në raport thuhet se gjatë kësaj periudhe kur edhe u mbajt shqyrtimi gjyqësorë kundër S.G dhe të tjerëve, ishte ekspozuar identiteti i njërit prej dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria, e që njëkohësisht paraqitej edhe si një nga dëshmitarët kryesorë të ngjarjes. Ky dëshmitar me kërkesë të parashtruar në gjykatë, e kishte realizuar të drejtën e tij për ta mbrojtur identitetin e tij në procedurë.

“Përkundër faktit të kësaj kërkese të miratuar nga gjykata me qëllimin që identiteti i tij të mbetet anonim, kishte ndodhur krejtësisht e kundërta. Kjo pasi që në mënyrë publike ishte ekspozuar identiteti i tij, me emër, mbiemër dhe me fotografi. Një gjë e tillë ishte bërë në qytetin e Skenderajt, vend në të cilin ishin vendosur disa afishe. Në këto afishe ishte përfshirë gjithashtu edhe një tekst në të cilin thuhej se ‘vetëm njerëzit e shitur si J.B. njollosin luftën e shenjtë të UÇK-së’”, thuhet në raport

Sipas këtij raporti thuhet se një veprim i tillë është i sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në raport është thënë se i njëjti dëshmitarë ka dëshmuar edhe në një rast tjetër në të cilin ishte ngritur një aktakuzë me pretendimet e kryerjes së krimeve gjatë kohës së luftës.

Ky rast sipas raportit thuhet se për publikun njihet edhe si rasti ‘Drenica’, në të cilin gjithashtu akuzohej edhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Skenderajt, S.L.

“Me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit të shkallës së parë, të datës 27 maj 2015, S.L. ishte shpallur fajtor për krimet me të cilat ai ishte ngarkuar, për të cilat gjykata i kishte shqiptuar dënimin me burgim në lartësi prej 12 viteve. Pas nxjerrjes së këtij aktgjykimi, kishte filluar linçimi i një dëshmitari anonim, ku emri dhe mbiemri i të njëjtit ishte përmendur në mënyrë publike nga një familjare e të pandehurit S.L. Ajo në deklaratën e saj të cilën e kishte dhënë pas dënimit të S.L., e kishte konsideruar dëshmitarin si armik dhe misionar të Serbisë”, thuhet tutje.

Sipas raportit zbulimi i identitetit të dëshmitarëve në këto raste të lartpërmendura dhe specifikisht personat të cilët e kanë kryer një veprim të tillë, kanë mbetur pa u hetuar/dënuar, gjë që jep mundësi të ripërtëritjes për shkak të pandëshkueshmërisë nga organet kompetente.

“Këto raste duhet të japin një alarm për hetuesinë, në mënyrë që të fillojnë procedurat në momentin e parë që shohin rrezikim të dëshmitarëve si dhe pengim të proceseve gjyqësorë”, thuhet në raport.

Kjo vepër sipas raportit ndikon në frikësimin e dëshmitarëve të tjerë potencial të cilët kanë njohuri për ngjarje të caktuara dhe të cilët do të hezitojnë të paraqiten për të dhënë dëshminë e tyre pranë gjykatës.

Sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, zbulimi i identitetit të dëshmitarëve nuk është defekti i vetëm i cili i ka përcjellë proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë.

“Është identifikuar edhe frikësimi dhe shtrëngimi i dëshmitarëve që të ndryshojnë deklaratat e tyre, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar”, thuhet në raport.

Në mënyrë që të ketë sa më pak raste të tilla në të ardhmen, në raport rekomandohet që “Parimet për Ballafaqimin me të Kaluarën”, të respektohen dhe adaptohen nga të gjithë akterët politik dhe publik, e të cilët merren me trajtimin e së kaluarës.

Parimet për ballafaqimin me të kaluarën është një iniciativë qytetare, e promovuar nga koalicioni jo formal i përbërë nga 5 organizata dhe një eksperte: Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin të Mbijetuarve të Torturës, Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, BIRN dhe Nora Ahmetaj.

Ky projekt implementohet me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Kosovë dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, dhe përmbajtja e përfshirë në këtë analizë nuk pasqyron pikëpamjet e tyre.