Fondi për Garanci Kreditore dhe Banka Gjermane për Zhvillim nënshkruajnë marrëveshje 6 milionë euro për efiçiencë të energjisë

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka përfituar një grant prej 6 milionë euro nga Banka Gjermane për Zhvillim (KFW), që synon t’i ndihmojë bizneset për qasje në financa, për investim në efiçiencë të energjisë.

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshje, u tha se me këtë fond parashikohet të ndihmohen rreth 600 biznese, si dhe të hapen deri në 170 vende të reja të punës.

Kryesuesi i bordit të Fondit për Garanci Kreditore, Rinor Gjonbalaj, tha se është i lumtur se është arritur të krijohet një institucion i qendrueshëm, që i mundëson qasjen në financa shumë bizneseve.

“Kemi arritur të krijojmë një institucion stabil që po iu mundëson bizneseve që të kenë qasje më të lehtë në financa dhe të krijohen vende të reja të punës. Fondi për Garanci Kreditore është shembull i mirë në rajon dhe më gjerë”, tha ndër të tjera Gjonbalaj.

Prezent në nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për këtë Fond.

“Si Qeveri do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar që të mbështesim Fondin. Mënyra se si është organizuar sistemi financiar, më shumë është e fokusuar në menaxhim të riskut. Fondi iu mundëson bizneseve të kenë qasje shumë më lehtë në financa”, tha Murati.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është themeluar në vitin 2016, nga Qeveria e Kosovës me ndihmën e USAID-it dhe KFW-së. Deri më tani, ky Fond ka garantuar kredi në vlerë 370 milionë euro, ndërsa KFW ka kontribuar në kapital me shumën 24 milionë euro, duke përfshirë 6 milionë euro të marrëveshjes së sotme.