Floresha Dado: Akademia do të zhvillojë bashkëpunim me institute ndërkombëtare

Gjatë hapjes së konferencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave e Shqipërisë u tha se akademitë do të bëjnë bashkëpunime me institute të huaja.

Këtë deklaratë e dha profesoresha Floresha Dado, e cila është e para e akademisë së Shqipërisë në hapjen e konferencës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, në 140-vjetorin kësaj ngjarjeje.

“Pavarësisht se dy akademitë kanë protokollin e tyre, ne asnjëherë nuk e konceptojmë që aktivitetet janë vetëm brenda nesh. Përkundrazi, kemi pasur, kemi kërkuar dhe do të kërkojmë vazhdimisht bashkëpunim me institutet e tjera, qendra të tjera kërkimore e shkencore—sepse asnjë ngjarje historike nuk është pronë e asnjë instituti”, tha Dado.

Sipas saj, ngjarjet historike janë “pronë” e asaj që Dado e quajti “shkencë shqiptare”.

“Shkenca shqiptare bëhet në Shqipëri, bëhet në Kosovë, bëhet kudo që ka shqiptarë që kanë pasion për historinë”, tha ajo.

Dado shtoi se ka ardhur koha që të dy akademitë të mendojnë për organizimin e konferencave ndër-disiplinore.

“Është shumë e rëndësishme që të sillet kontributi i studiuesve të shkencave shoqërore, ekonomike, politike e kulturore”, tha ajo.

Gjithashtu, akademikja Dado tha se konferencat nuk paraqesin mbyllje apo përfundim të hulumtimit, por hapje të tij.

“Kam bindjen që kjo konferencë nuk është se do ta sqarojë, se do ta mbyllë përfundimisht trajtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përkundrazi mendoj se suksesi i konferencës sonë do të qëndrojë pikërisht në atë që nëpërmjet referimeve, kumtesave që vijnë nga studiues të ndryshëm do të hapin teza të reja, diskutime të reja për ta zgjeruar dhe pasuruar atë trajtim historik”, u shpreh ajo.