Foto: Facebook/QKK.

Filmi ‘Rrugës’ shfaqet në Kanë, garon për ‘Palmën e Artë' në kategorinë e shkurtër

Filmi i shkurtër, “Rrugës” me regji të Samir Karahodës është shfaqur sot, 24.05.2024, premierë në Festivalin e Filmit në Kanë në Francë.

Filmi “Rrugës” është në garë për çmimin “Palma e Artë” në konkurrencën e filmave të shkurtër në këtë festival.

Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur për shfaqjen e filmit “Rrugës” në Kanë, që është edhe premierë botërore e këtij filmi.

“Më pak se tri vite pas shfaqjes së filmit të shkurtë “Pa vend”, filmi i radhës nga Samir Karahoda përfaqëson Kosovën për herë të dytë në garën kryesore të festivalit më të rëndësishëm në botë. ‘Rrugës’, shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, shfaqi premierën botërore së bashku me dhjetë filmat të tjerë të shkurtë nga e gjithë bota të cilët garojnë për Palmën e Artë të Kanës’- thuhet në njoftimin e QKK-së në Facebook.

Sipas QKK-së, në premierën e filmit “Rrugës” në Kanë, morën pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ambasadori i Kosovës në Francë Mehdi Halimi, këshilltarja për kulturë Rozafa Imami, dhe drejtoresha e QKK-së Blerta Zeqiri.

“Filmi sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen”- thuhet në njoftimin e QKK-së në Facebook.

Në rolet kryesore luajnë: Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda.

“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Evropian “ARTE” dhe Televizioni Finlandez “Yle”.