Ferizaj

Ferizaj po këndellet, 70 persona të shëruar nga COVID-19

Në Komunën e Ferizajt, e cila është me më së shumti të prekur nga COVID-19 në Kosovë, ka filluar të rritet numri i të shëruarve dhe rrjedhimisht të pakësohet numri i të infektuarve.

Drejtori i spitalit në këtë komunë, Jeton Zeqiri, tha se ka filluar faza e ritestimit dhe për t’u shëruar një person duhet të dalë negativ në dy ritestimet që u bëhen.

“Ritestime bëhen në dy faza, ritestimi i parë dhe ritestimi i dytë, për me u shëru një pacient duhet të ketë dy ritestime të njëpasnjëshme, do të thotë herën e parë duhet të dalë negativ edhe herën e dytë negativ. Atëherë shpallet i shëruar”, tregoi ai.

Tutje, Zeqiri tha se janë bërë 148 ritestime, nga këto ritestime 70 kanë rezultuar negativë nga dy ritestimet e bëra.

“148 ritestime të parat edhe të dytat, prej 148, 70 janë të shëruar do të thotë në ritestimin e parë dhe të dytë, edhe tri rezultate jemi duke i pritë që po besoj se janë negativë, zyrtarisht i kemi 73 pacienta të shëruar”, u shpreh ai në një përgjigje për KALLXO.com.

Ndërsa, nga 74 personat të cilët janë ritestuar për herë të parë dy kanë dalë pozitivë, gjithashtu edhe nga 70 të tjerë të cilët janë ritestuar për herë të dytë kanë dal dy pozitivë, theksoi Zeqiri.

“Ritestimet e para janë bërë për 74 persona ,nga këto 74 dy kanë dal pozitivë, do të thotë kanë mbetë 72, dhe janë testu prapë, në ritestime të dyta janë ritestuar 70, ku kanë dalë prap dy pozitivë. Ritestimet bëhen pas dy javësh”, u shpreh drejtori.

Në këtë komunë edhe sot janë bërë ritestime.

“Sot janë bërë 12 ritestime. Prej ritestimeve të para janë tetë, ndërsa ritestime të dyta janë katër edhe po presim rezultatet. Të shohim nga ritestimet e dyta sa po na dalin në mënyrë që me i shpallë të shëruar, dhe pas shtatë ditëve fillojmë procedurave të tjera”, u shpreh tutje ai.

“Tash e një javë nuk është lajmruar asnjë rastë, as për vetizolim as për testim”, tha Zeqiri.

Numri i të shëruarve edhe në nivel vendi ka filluar të rritet dukshëm, vetëm mbrëmë janë shpallur të shëruar 22 persona, si dhe në përgjithsi janë 403 të sheruar, 855 të infektuar dhe 26 të vdekur.