Evakuime të reja për shkak të zjarreve vdekjeprurëse në Havai

Një zjarr i ri shpërtheu në ishullin Maui të Havait të premten mbrëma, duke detyruar evakuimin e një komuniteti në verilindje të zonës ku më herët gjatë kësaj jave shpërthyen zjarre, tha policia.

Zjarri nxiti evakuimin e banorëve nga Kanapali në Mauin Perëndimor, tha policia përmes rrjeteve sociale.

Më herët qarkullimi në trafik u ndalua dhe disa persona kaluan zonën e mbyllur me barrikada për shkak se zona është shpallur si zonë e fatkeqësive dhe hyrja është ndaluar për shkak të rrezikut, tha policia.

Numri i vdekjeve të konfirmuara nga zjarret e egra në Maui gjatë kësaj jave është rritur në 67.

Shumica e banorëve të Mauit veçse kanë nisur të kthehen në lagjet e tyre, ku kanë gjetur vetura të djegura dhe dëme të tjera. Zjarret kanë shkatërruar shtëpi dhe biznese. Shtyllat e telefonitdhe ndërtesat janë shkatërruar.

Zyra e prokurores së përgjithshme, Anne Lopez, ka njoftuar se do të kryhet një rishikim i vendimeve dhe politikave që janë marrë gjatë dhe pas zjarreve.

Zjarret janë fatkeqësia më vdekjeprurëse natyrore që kanë goditur Havain në dekada dhe vlerësohet se është fatkeqësi më e rëndë sesa cunami i vitit 1960 që la të vrarë 61 persona. Havai ishte goditur edhe nga një cunami më vdekjeprurës më 1946, kur kishin vdekur mbi 150 persona, pas së cilit ishin krijuar sistemet e emergjencave, përfshirë edhe lëshimin e sirenave për të paralajmëruar banorët për rrezikun.

Megjithatë, shumë të mbijetuar të zjarreve kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar ndonjë sirenë paralajmëruese për t’iu dhënë atyre kohë që të përgatiteshin.

Edhe në të dhënat e departamentit për menaxhimin e emergjencave të Havait nuk ka indikatorë se janë lëshuar sirena për të paralajmëruar banorët e ishullit që të largoheshin. Zyrtarët, megjithatë, kanë dërguar alarme në telefonat mobilë, kanë njoftuar banorët përmes televizioneve dhe radiove, por për shkak se zjarret kanë shkatërruar linjat e energjisë këto mesazhe nuk kanë arritur te të gjithë banorët.

Guvernatori Josh Green ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet pasi operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë.

Zona më e goditur nga zjarret është Lahaina, ku ka dëme të mëdha.

Zjarret në Havai janë më vdekjeprurëset në SHBA që nga zjarri më 2018 në Kaliforni kur u vranë 85 persona./REL