Escobar shpreh mbështetjen amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, njëherësh i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës në konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani sot në Prishtinë.

“Pata dëshirë që të shpreh mbështetjen amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe për solidaritetin në kohë krize në Kosovë dhe mënyrën për ta thelluar këtë partneritet përfshirë edhe mbështetjen tonë për pjesëmarrjen e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja” – ka thënë Escobar.

Ai u shpreh krenar që Kosova ka kontribuar në agjendën e përbashkët të demokracisë dhe lirisë.

“Jam krenar që Kosova ka kontribuar shumë për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj që ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm se si Kosova po kontribuon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë dhe lirisë dhe e falënderoj Kosovën dhe juve që do të jeni nikoqire e kësaj ngjarje gjatë kësaj jave”- tha Escobar.

Më 22 dhe 23 tetor 2022, me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Kosovë, do të mbahet edicioni i parë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile.

Gjatë ditës së sotme janë takuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Escobar.

Osmani, ka thënë se kanë diskutuar nevojën për të ecur përpara në dialog si dhe ka shprehur pakënaqësinë për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

Escobar aktualisht po zhvillon takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.