Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër

Enver Hoxhaj e quan vendim autoritar inicimin e shkarkimit të bordit të RTK-së

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, inicimin e shkarkimit të bordit të Radio Televizionit të Kosovës e ka quajtur prirje autoritare të Lëvizjes Vetëvendosje.

Hoxhaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se kjo është një goditje e medias dhe fjalës së lirë në vend.

“Qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik. Fatkeqësisht, këtë manual po e zbaton me përpikëri Qeveria Kurti II. Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend”, tha ai.

Hoxhaj shtoi se autoritarizmi është e vetmja metodë që LVV njeh.

“Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin”, tha ai mes tjerash.

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me shumicë votash ka iniciuar shkarkimin e bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës.

Sipas procedurave, shkarkimi i bordit të RTK-së do të shkojë si pikë e rendit të ditës në Kuvend.

Inicohet për në Kuvend shkarkimi i bordit të RTK-së