Ish-inspektorët | KALLXO.com

Gjykata vendos për ish-inspektorët e Prishtinës

Ish-inspektorët e Komunës sq Prishtinës u dënuan me burg e gjobë.

Ismet Haliti u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skender Canolli u dënua me dy vjet e 6 muaj për keqpërdorim detyre dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje.

Blerina Syla, Vehbi Avdullahu. Mërgim Shala e Blerim Ibishi u dënuan me nga dy vjet burg, ndërsa Arbenita Ajeti e Drita Rukiqi me nga 1 vjet e gjashtë muaj. Granit Cenës e Ardian Muhadrit iu shqiptuan nga një vit burg.

Ismet Halitit e Skender Canollit iu konfiskua nga një veturë, ndërsa Mërgim Shalës një banesë.

Gjykata këtë shpallje e kishte paralajmëruar për ditën e djeshme, por e shtyu atë për 24 orë, ngase trupi gjykues nuk ishte komplet.

Fjala përfundimtare e këtij gjykimi u zhvillua më 12 prill kur prokurorja Drita Hajdari kërkoi shpalljen fajtorë dhe dënimin e të akuzuarve, ndërsa avokatët e tyre lirimin e ish-inspektorëve.

Ish-inspektorët e Prishtinës gjatë procesit gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm.

Në këtë proces gjyqësor Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi akuzoheshin se nuk i kanë parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet e kundërligjshme në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.