Ekspertët zviceranë edhe me një raport për vdekjen e Deharit

 

Prokuroria Speciale ka njoftuar sot se ekspertët e Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore të Lozanës, të cilët kanë përpiluar ekspertizën ligjore për rastin “Dehari”, do të hartojnë edhe një raport shtesë lidhur me të gjeturat e grumbulluara përgjatë ekzaminimeve dhe do t’ia dërgojnë Prokurorisë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime të pavarura dhe profesionale deri në ndriçimin e plotë të këtij rasti.

“Gjatë këtyre dy ditëve, ekspertët e institutit të Lozanës kanë marrë pjesë në procedurën hetimore të këtij rasti, i cili është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Pas marrjes së informatave më të hollësishme dhe ekzaminimeve të bëra, ekspertët e këtij instituti do hartojnë një raport shtesë lidhur me të gjeturat e grumbulluara përgjatë këtyre ekzaminimeve, ku raportin në fjalë do t’ia dërgojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit mund t`i lexoni duke klikuar në LINK