Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lutfi Haziri: Përveç zbardhjes së rastit për Astrit Deharin, të zbardhet edhe vdekja e Agon Musliut

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka kërkuar nga qeveria që përpos zbardhjes së vdekjes të aktivistit Astrit Dehari të zbardhet edhe rasti i Agon Musliut, i cili vdiq gjatë kohës sa kishte qenë i karantinuar në qendrën e studentëve në Prishtinë.

“Kryeministri i Republikës, Qeveria dhe Kosova po e kërkojnë zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit. Ne i bashkangjitemi thirrjes dhe përveç zbardhjes së rastit për Astritin, kërkojmë që të zbardhet edhe rasti i vdekjes së Agon Musliut. Drejtësi edhe për Agonin, i cili në objektin qeveritar, i ndaluar për karantinë, e humbi jetën, duke na tronditur të gjithëve!”, ka thënë Haziri.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvensoje, Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 brenda qelisë së burgut në Prizren.

Astrit Dehari, po qëndronte në burg nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve. Këtë deklaratë e kishte thënë për KALLXO.com ish-drejotri i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Në pesë vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit janë organizuar edhe disa aktivitete. Sot në orën 9:30 do të mbahen homazhe te varri i tij, në orën 12 do të mbahet akademi përkujtimore, në 15:30 do të dhurohet gjak në kujtim të tij, ndërsa nga ora 20:00 është bërë ftesë që të ndizen qirinj në shtëpitë e të gjithë qytetarëve në nderim të Astrit Deharit.