Foto: Eurovision

EBU: Rusia nuk do të marrë pjesë në Eurovision

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka njoftuar se Rusia nuk do  të marrë pjesë në konkursin e këngës “Eurovision”.

Sipas një njoftimi nga EBU, bordi ekzekutiv mori këtë vendim pas një rekomandimi nga organi drejtues i Eurovision-it “Grupi i referencës”, bazuar në rregullat e eventit dhe vlerat e EBU-së.

Rekomandimi i Grupit të referencës gjithashtu u mbështet edhe nga Komiteti i Televizionit të EBU.

“Vendimi pasqyron shqetësimin se, në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë, përfshirja e një pjesëmarrjeje ruse në konkursin e këtij viti do ta çonte konkurrencën në reputacion”, thuhet në njoftim.

EBU po ashtu bën të ditur se është një organizatë jopolitike anëtare e transmetuesve të angazhuar për të ruajtur vlerat e shërbimit publik.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave të një konkursi kulturor që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar, bashkon audiencën, feston diversitetin përmes muzikës dhe bashkon Evropën në një skenë”, thuhet në komunikatë të EBU-së.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.

Paralajmërohet bojkotimi i Eurovisionit nëse lejohet Rusia të konkurrojë