Paralajmërohet bojkotimi i Eurovisionit nëse lejohet Rusia të konkurrojë

Eurovisioni mund të mos jetë gjëja e parë që mendoni gjatë diplomacisë ndërkombëtare – por disa vende kanë filluar të thonë se do ta bojkotojnë ngjarjen nëse Rusia lejohet të konkurrojë, pas zhvillimeve në Ukrainë.

Transmetuesit e Estonisë dhe Finlandës kanë thënë se do të tërhiqen nga konkursi, nëse Rusia lejohet të konkurrojë, raporton Sky News.

Vende të tjera, duke përfshirë Holandën, Islandën dhe Norvegjinë, kanë shprehur gjithashtu shqetësime për përfshirjen e Rusisë, së bashku me Ukrainën.

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon konkursin, thotë se ka ndërmend ta lërë vendin të konkurrojë, duke pretenduar se është një organizatë jopolitike.

Gara, e cila është ngjarja jo-sportive më e ndjekur në botë, do të mbahet në Torino të Italisë në maj.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.