Ismail Kadare/ Foto: AShAK

E mërkura shpallet ditë zie në Kosovë në nderim të Ismail Kadaresë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 03.07.2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Sipas njoftimit të Presidencës, zija shtetërore do të jetë gjatë ditës kur edhe varroset i ndjeri, Ismail Kadare.

“Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftimin e Presidencës, më 02.07.2024.

Qeveria e Shqipërisë i ka shpallur dy ditë zie, më 2 dhe 3 korrik, në nderim të të ndjerit Ismail Kadare, shkrimtarit shqiptar që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936 ku edhe kreu i shkollës fillore dhe të mesme.

U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës (1958) dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë (1958-1960).

Krijimtarinë tij letrare e nisi qysh si gjimnazist më 1954 me botimin e përmbledhjes me poezi “Frymëzime djaloshare”. Por, ishte romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” botuar më 1963 që e ngriti në majat e letërsisë.

Nga ky vit Kadare njihet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe.

Në vjeshtën e vitit 1990 Ismail Kadare largohet nga Shqipëria dhe kërkon azil politik në Francë.

Kadare ishte anëtar i ASHSH-së, anëtar i jashtëm i ASHAK, anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtarit jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.

Gjatë gjithë veprimtarisë së tij Kadare është shpërblyer me shumë çmime kombëtare dhe të huaja, ndër ta edhe me çmimet: “International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Award”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino” , “Parku Kyong-n”.

Kadare është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”, ndërsa disa vite radhazi ishte kandidat për çmimin “Nobel” për letërsi.

“Prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash” – Vlerësimet për figurën e Ismail Kadaresë