E konfirmon Policia: Ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të njësiteve policore në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot pasdite ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të pjesëtarëve të saj në pjesën veriore të vendit.

Sipas Policisë, nuk ka ndonjë polic të plagosur.

Policia njofton se janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

Sot pasdite, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve  në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak”, thuhet në njoftim.

Veprimi i Policisë ka ardhur pas aksioneve të qytetarëve serbë të Kosovës të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë.