Dyshohet për mjet shpërthyes në QKUK

Një mjet shpërthyes dyshohet se ndodhet në Klinikën e Patologjisë së QKUK-së.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se ka evakuuar personelin përreth dhe ka siguruar perimetrin e nevojshëm.

Në vendngjarje thuhet se ndodhen ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese.

“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik” – ka thënë për KALLXO.com zëdhenësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.

“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”- ka thënë ai.