Dyshimet për dhunë në familje, arrestohet një burrë në Fushë Kosovë

Policia ka njoftuar për tri raste të dhunës në familje të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

Në Fushë Kosovë, dje (29.05.2024) në orën 05:00 është arrestuar një person pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një grua.

Siç bën të ditur polica, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq në Podujevë, është arrestuar një i dyshuar tjetër për dhunë në familje, pasi që i njëjti sipas policisë, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje tjetër.

Rasti raportohet të ketë ndodhur dje më 29.05.2024 në orën 11:00.

Në komunikatën e policisë thueht se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, palët janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Gjilan po ashtu, është arrestuar një person nën dyshimin për dhunë psikike ndaj dy grave të tjera.

Sipas policisë, pasiqë i dyshuari gjatë intervistimit ka pranuar se posedon armë zjarri, me urdhër të prokurorit, i është bastisur shtëpia.

“Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se në shtëpi posedon armë zjarri dhe me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit ku janë gjetur dhe janë konfiskuar: tri armë zjarri, dy karikatorë dhe 126 fishekë të kalibrave të ndryshëm”- thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.