Foto: KALLXO.com

Dy dëshmitarë tregojnë për tmerret që përjetuan nga forcat serbe, ku bënte pjesë edhe i akuzuari Millorad Gjokoviq

Në gjykimin e Millorad Gjokoviqit, i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Gjatë seancës së sotme, 30.05.2024, i pari që dha dëshminë para trupit gjykues ishte Nezir Gashi.

Gashi në rrëfimin e tij deklaroi se më 07.05.1999 kishte ndodhur një ofensivë e policisë dhe ushtrisë serbe në fshatin Ozdrim.

“Atë  ditë, më 7 maj 1999, ka ndodhë një ofensivë e policisë dhe ushtrisë serbe në fshatin Ozdrim. Në ato momente ne kemi qenë në shtëpi 15 meshkuj. Ata kanë hyrë brenda me automatikë edhe i kanë nda gratë edhe fëmijët prej neve dhe ju kanë thënë që me u nisë në drejtim të Shqipërisë” – tha dëshmitari.

Tutje Gashi në rrëfimin e tij tha se pasi i kanë larguar nga shtëpia me dhunë, forcat serbe i kanë dërguar në një shitore.

“Pasi na kanë larguar nga shtëpia, duart i kemi pasur të lidhura dhe na kanë shti në një  shitore, dera e shitores ka qenë e mbyllur, ata e kanë hapur me forcë. Koha që neve na kanë dërguar atje ka qenë rreth orës 10:30h edhe aty na kanë mbajtur deri në ora 16:00” – shtoi ai.

Gashi në rrëfimin e tij shtoi se gjatë atyre ditëve 7, 8 dhe 9 maj 1999 kanë pasur maltretime dhe rrahje brutale nga forcat serbe.

“Pasi na kanë larguar nga shitorja, na kanë marrë dhe na kanë dërguar te një shupë, aty kanë qenë rreth 40 persona” – tha ai.

Tutje Gashi tha se maltretimet kanë vazhduar edhe në ditët e tjera.

“Pasi që na kanë marrë me ‘pikap’ si dhe na kanë maltretu na kanë çu në burg në  Pejë edhe na kanë hi dajak, na kanë mëshelë, edhe na kanë mbajtë qaty 29-30 ditë. Për çdo ditë ka pasë maltretime“ – shtoi në dëshminë e tij Nezir Gashi.

Ndërsa të akuzuarin Millorad Gjokoviq, Gashi tha se e kishte parë në stacion policor të veshur me uniformë.

“Millorad Gjurkoviqin e kam parë në stacion policor, pasi që shupa ka qenë afër, rreth 50 metra larg, dhe kur ka ardhur me i kërku çelësat e kamionit atëherëë e kam parë” – tha ai.

Seanca ka vazhduar edhe me dëshmitarin tjetër, Sejdi Gashi.

Gashi po ashtu në rrëfimin e tij deklaroi se të akuzuarin e kishte parë atë ditë, si dhe po ashtu e njihte sepse e kishte parë me herët sepse kishte qenë shef i zyrës së vendit.

“Po atë ditë kur kemi qenë në shupë e kam parë kur kishte ardhur të kërkonte çelësat e kamionit, si dhe e njoh edhe më herët sepse ky ka qenë shef i zyrës së vendit në Vitomericë” – tha Sejdi Gashi.

Ndryshe në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari i tretë, Ferat Morina lidhur me këtë rast, mirëpo me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Gjurkoviq seanca u shty për më 28.06.2024.

Kujtojmë së sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth Pejës, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

I njëjti tutje ka dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe ka aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë.

Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë në së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kanë rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kanë filluar një ofensivë ushtarake-policore.

Fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe. Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Tre të fundit pas plagosjes u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.

Kurse pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”,  vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim.

Aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për  28 prej tyre, i kanë ndarë në tri grupe e i kanë transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku ka qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Aty të njëjtit janë marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyrë mizore deri në momentin kur i kanë dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kanë dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura.

Deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq.