Dreshaj: Ministria e Shëndetësisë në qeverisjen Kurti ka qenë Ministri e Eksperimenteve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka dhënë disa kritika Qeverisë për gjendjen e shëndetësisë që sipas tij kjo është “Ministri e Eksperimenteve” dhe se këtë fushë ekzekutivi nuk e ka fushë prioritare.

Dreshaj e ka quajtur kështu sipas tij për shkak të ndërrimit të njëpasnjëshëm të ministrave dhe shefave të reparteve.

“E para, Ministria e Shëndetësisë në Qeverisjen Kurti ka qenë Ministri e Eksperimenteve, ku për disa herë radhazi u ndërruan ministrat, u ndërruan shefat e reparteve e madje kishte raste ku këto pozita mbetën bosh për muaj të tërë pa udhëheqës, duke bërë që të pësojnë qytetarët dhe shëndeti i tyre. Nuk menaxhohet shëndetësia me UD të pa përvojë dhe të padëshmuar”- është shprehur ai në një konferencë për media.

Tutje deputeti i AAK-së ka përmendur edhe protestën e djeshme të specializantëve për pagesat e kujdestarive duke e konsideruar problem të Qeverisë.

“E dyta, pakënaqësitë deri më sot ishin të shumta. Dje, mjekët në specializim të cilët janë forca shtytëse e Shëndetësisë dhe punëtorët e administratës protestuan për padrejtësitë e bëra në ligjin e pagave. Është penguese në organizim të punës dhe diskriminuese mos pagesa e kujdestarive dhe mos stimulimi për rrezikshmëri. Disa herë si AAK Qeverisjes Kurti i është tërhequr vërejtja si në Parlament ashtu edhe në Komisione, për këtë diskriminim i cili dje rezultoi për këtë protestë”- theksoi Dreshaj.

Ai ka thënë se mungesa e infrastrukturës, barnave e fashave po vështirëson gjendjen e pacientëve.

“Kemi mungesë të infrastrukturës, ku qytetarët përballen me infrastrukturë të vjetruar dhe jo funksionale. Kemi mungesës të barnave e fashave, ku qytetarët detyrohen të kërkojnë edhe lëmoshë për të blerë barna, fasha e infuzione. Kemi lista të pritjes në QKUK, madje më shumë se një vit, ku një qytetar që vuan nga dhimbja e madhe apo sëmundja e rëndë e cila mund ti sjellë vdekjen, duhet të pres 1 vit për ta kuptuar se çfarë problem shëndetësore ka. Ka raste kur qytetari mund edhe të vdes, ndërsa radha për një rezonancë magnetike ende nuk i ka ardhur”- pohoi Shemsedin Dreshaj.

Rezultat të gjithë problemeve e ka konsideruar ikjen e profesionistëve shëndetësorë ku përmendi me shifra ikjen e 25 mjekëve për 36 ditë.

“E katërta, Ikja e Profesionistëve shëndetësore është temë urgjente që kërkon zgjidhje. Nga, mos trajtimi i dinjitetshëm, veprimet ad-hoc, shuan shpresën për perspektivën e të nesërmes, gjë që rezultoi me ikjen masive të mjekëve dhe infermierëve. Për 36 ditë të para të këtij viti ikën 25 mjekë. Kjo nuk ka ndodhë as viteve të 90-ta kur ishim popull jashtë institucional, shqiptarët u dëbuan nga institucionet por ekzistonte shpresa. Kjo qeveri ja humbi shpresën popullatës për një të nesërme më të mire”- tha Dreshaj.

Ai në emër të AKK-së i ka dhënë disa rekomandime për të dalë nga gjendja, sipas tij duhet pas shëndetësinë prioritet qeverisës, paga dinjitoze, respektim të performancës në punë, reformim të sistemit shëndetësor, kthim të përgjegjësisë të stafi menaxherial, të bëhet paga e kujdestarive, të sigurohet lista esenciale, të zvogëlohet lista e pritjes.