Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit në Ferizaj

Drejtori: Spitali i Ferizajt ka kapacitet vetëm edhe për 7 pacientë

Rritja enorme e rasteve me COVID-19 po i sfidon institucionet shëndetësore të Kosovës edhe rreth kapacitetit për të pranuar pacientë.

Ditë më parë, kryeministri Avdullah Hoti tha se në QKUK nuk ka më vende për pacientë me coronavirusin e ri.

Me një situatë të ngjashme po përballet edhe Spitali Rajonal i Ferizajt.

Drejtori i Spitalit, Jeton Zeqiri, tha për KALLXO.com se institucioni të cilin e drejton ai ka kapacitet vetëm edhe për shtatë pacientë.

Ai tha se në rast se rritet numri i rasteve në ditët në vazhdim do të detyrohen të përdorin objektin e Institut Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Ferizaj.

“Kapaciteti (në spitalin e Ferizajt) është për shtatë persona. Në rast se rritet numri (i të infektuarve) atëherë duhet të gjejmë hapësirë më të madhe, siç është te Instituti ku është objekti i ri “Te Pishat” atë duhet të funksionalizojmë”, tha ai.

Pandemia e COVID-19 ka prekur edhe drejtorë e zyrtarë tjerë komunalë në këtë komunë.

Zeqiri, tha se nga rezultatet e marra 16 zyrtarë e drejtorë komunalë kanë rezultuar pozitivë.

“16 janë nga Komuna”, tregoi ai.

Testi për COVID-19 i është bërë edhe kryetarit Agim Aliu, por i njëjti doli negativ.

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të testohen vetëm personat të cilët kanë simptoma të COVID-19, siç janë kollitje, ethe, temperaturë si dhe vështërsi në frymëmarrje.

Sonte 12 ferizajas janë në pritje të rezultatit për coronavirus, ndërsa nesër pritet të testohen edhe 13 të tjerë, tha drejtori Zeqiri.

Kujtojmë se vetëm mbrëmë kanë rezultuar pozitivë me coronavirusin e ri 122 persona, 81 të tjerë janë shëruar nga kjo pandemi.

Në Kosovë nga COVID-19 kanë vdekur 50 persona.