Drejtori i shkollës në Pejë rrëfen si mësoi për planin e 16-vjeçarit për të kryer sulm vrasës

Të shtunën, më 7 tetor, në mëngjes M.N. drejtori i shkollës në Pejë ku 16-vjeçari dyshohet se kishte në plan të kryente sulmin vrasës ndaj shokëve të tij, është kontaktuar nga njësiti hetues i Policisë për t’u takuar urgjentisht në shkollë.

Sipas M.N., aty i kishin kumtuar lajmin për dyshimet për sulmin e planifikuar nga 16-vjeçari.

”Kur vij në shkollë, takohemi së bashku dhe ata më jepin një informacion që bëhet fjalë për një nxënës 16-vjeçar, që dyshohet për një akt, për ta përgatitur që do të ndërmarrë një veprim ndaj bashkëmoshatarëve të vet në shkollë” – ka treguar M.N. për KALLXO.com.

Më tej, M.N. ka shpjeguar se atë ditë e kanë kontrolluar hyrjen e shkollës nga e kishte planifikuar sulmin, klasën dhe se nuk është gjetur ndonjë mjet brenda shkollës.

Drejtori ka folur për natyrën e nxënësit siç ia kanë përshkruar klasa dhe kujdestarja e tij. Ata e kishin përshkruar si më të tërhequr nga të tjerët në klasë dhe nuk kishte pasur probleme me klasën apo shkollën.

Por, një detaj të cilin e ka theksuar M.N. është se i dyshuari kishte munguar orëve të para të mëngjesit në mësim.

”Në orët e para të mëngjesit ka disa mungesa dhe për mua kjo është shqetësuese pak, kujdestarja e klasës komunikon me prindërit dhe ata japin një arsyetim që nuk po i del gjumi. Për mua mbetet për t’u trajtuar si problem deri në orët e vona me kë ka komunikuar, cili është komunikimi ndërmjet tij, a e kanë ditur prindërit me kë komunikon, sepse në rrjetet sociale është i fshehur mbrapa emrit të vet dhe mbiemrit, me iniciale” – është shprehur M.N.

Me këtë rast, drejtori ka bërë të ditur se këtë javë do të mundohen ta takojnë familjen e 16-vjeçarit për ta parë edhe gjendjen emocionale të tyre, mendimin e tyre dhe për të kuptuar se a kanë ndonjë informacion shtesë për rastin.

”E kemi thirrë sot në mëngjes prindin, sigurisht do të vijë. Nuk ka ardhë ndoshta për çështje të procedurave që kanë, sepse dihet që nxënësi është në mbajtje, por ne e kemi njoftu edhe me një vendim të shkollës që nxënësi është i pezulluar, për aq kohë sa do të marrë një vendim të dytë gjykata” – ka thënë ai.

Sipas M.N., Drejtoria e Arsimit në Pejë është në dijeni për rastin pasi e kanë njoftuar me kohë.

Për këtë, KALLXO.com ka tentuar të marrë një deklarim nga ana e DKA në Pejë, mirëpo këta të fundit nuk kanë pranuar të deklarohen dhe ia kanë lënë deklarimin drejtorisë së shkollës.

Mirëpo, M.N. ka thënë se nuk janë kontaktuar nga Ministria e Arsimit në lidhje me rastin, dhe se e kanë parë vetëm reagimin publik të zv.ministrit të Arsimit, Taulant Kelmendi.

Edhe në Ministri të Arsimit deri më tani nuk është se ka pasur një reagim në formë zyrtare në lidhje me rastin e 16-vjeçarit, për të cilin KALLXO.com i ka pyetur por nuk janë përgjigjur.

KALLXO.com raportoi ekskluzivisht për arrestimin e të miturit nën dyshimin se kishte planifikuar që të kryente sulm vrasës ndaj disa nxënësve në një shkollë në Pejë.

Për shkak te ndjeshmerisë së rastit lënda me hetimet e para ishte bartur në Prokurorinë Speciale.