Drejtori i Policisë së Kosovës merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit, pjesë e një projekti ndërkombëtar

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit në projektin @ON Network, e cila u mbajt në Romë të Italisë.

“Anëtarësimi i Policisë së Kosovës në rrjetin @On Network, që është projekt i Komisionit Evropian nën udhëheqjen e Policisë Italiane, u bë së bashku me Policinë e Finlandës, Qipros dhe Bosnjë e Hercegovinës” – ka njoftuar Policia.

Ceremonia u mbajt në selinë e Drejtorisë së Hetimeve Antimafia në Romë dhe bashkë me Hoxhën ishte edhe drejtori për bashkëpunim ndërkombëtar policor, nënkolonel Arben Paçarizi.

Siç ka njoftuar Policia, ky projekt mundëson avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke ndërtuar rrjetin e bashkëpunimit dhe koordinimit policor në fushën e krimit të rëndë dhe të organizuar.

Pjesëmarrjen e saj në këtë projekt, Policia e konsideron si tregues relevant për rolin e saj aktiv në luftimin e kriminalitetit si një partner të besueshëm dhe efektiv në nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor.