Foto: KALLXO.com

Drejtori i Inspektoratit, Flamur Sylejmani në Lipjan e rehaton vëllanë në komunë

Fatlum Sylejmani, vëllai i drejtorit të Inspektoratit në Lipjan, Flamur Sylejmani është shpallur më i suksesshmi në konkursin për “Roje Pylli në Drejtoratin për Bujqësi dhe Pylltari” në Komunën e Lipjanit.

Fatlum Sylejmani është renditur i pari në këtë konkurs me gjithsej 77 pikë.

Për këtë pozitë, “Roje Pylli” ishte njoftuar më 28 mars që dy kandidatë, Fatlum Sylejmani dhe Avni Krasniqi mund të vazhdojnë konkurrimin. Ndërsa më 4 prill ishin shpallur rezultatet.

Sipas vendimit, kandidatët e pakënaqur me rezultatet mund të bëjnë ankesë brenda 30 ditësh.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Inspektoratit në Lipjan, Flamur Sylejmani për të pyetur rreth punësimit të vëllait të tij.

Në një përgjigje shkurt ai tha se nuk ka pasur ndikim në punësimin e të vëllait, Fatlum Sylejmani.

“Lidhur me çështjen që më keni pyetur, sigurisht që nuk kam ndikuar, nëse nuk gabohem ka qenë konkurs i përsëritur tri herë shkaku i mos interesimit për atë vend pune”- tha Sylejmani.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Fatlum Sylejmanin por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Në dhjetor të vitit të kaluar Komuna e Lipjanit kishte anuluar konkursin për këtë pozitë për shkak e asnjë kandidatë  nuk i kishte plotësuar kriteret.