Foto: Ilustrim

Kanoset drejtori i Inspektoratit në Lipjan, thotë se dikush ia vendosi një fishek në veturë

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, Flamur Sylejmani, ka gjetur dje në veturën e tij një fishek.

Rasti është raportuar në Polici dhe është cilësuar si kanosje.

Sylejmani për KALLXO.com ka thënë se kjo nuk është hera e parë që ai pranon kërcënime të cilat, sipas tij, lidhen me punën si drejtor i Inspektoratit.

“Kërcënime kam pasur në vazhdimësi, asnjëri nga kërcënimet nuk vjen për ndonjë problem personal me dikë. Të gjitha janë rezultat i zbatimit te ligjit nga Drejtoria e Inspektoratit të cilën e udhëheq nga janari 2022” – tha ai.

“Mbrëmë përderisa e kam dërguar veturën në autolarje kemi parë një fishek poshtë xhamit të përparmë të makinës. Menjëherë kam lajmëruar Policinë. Përkundër rasteve të shumta të kanosjeve, nuk mund të them që dyshoj në dikë për ketë rast” – theksoi ai.

Tutje Flamur Sylejmani ka thënë se shpreson që organet kompetente do të merren seriozisht me këtë rast dhe rastet e tjera.

“Mendoj, që procedurat duhet të shpejtohen lidhur me rastet. Ky ritëm, nuk i ndalon kërcënimet” – ka theksuar ai.

Rasti i Sylejmanit është cilësuar si kanosje nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

“Ankuesi mashkull  kosovar ka raportuar se në veturën e tij, në pjesën e parafangos kishte gjetur të vendosur një plumb. Rasti në hetime nga njësitë relevante” – thuhet në raportin e Policisë.

Me plumb në makinë, kanoset burri nga Lipjani